E Diel, 1 Nëntor 2026

Kutia me euro në vilën e Ballukut, Salianji: Rama të mbajë përgjegjësi politike! SPAK të hetojë mbi paratë, PD transparencë për dosjen

Ervin Salianji ka reaguar për kutinë me euro në vilën e Belinda Ballukut në “Ëhite Rocks” në Dhërmi.

Ish-deputeti i PD kërkon përgjegjësi politike nga kryeministri Edi Rama për çështjet e korrupsionit ku janë përfshirë funksionarët e tij, ndërsa qytetarët e zakonshëm përballen me vështirësi ekonomike.

Salianji i bën thirrje edhe SPAK për verifikimin fizik të parave, kujt i përkasin dhe nga vijnë si dhe pse nuk ka ende masa sigurie.

Jashtë vëmendjes nuk lë as Partinë Demokratike së cilës i thotë se duhet të publikojë dosjen që është paraqitur në Këshillin e Mandateve për të larguar dyshimet se në të mund të jenë përfshirë drejtues të partisë.

Reagimi i plotë:

Miliona Euro para xhepi në kuti, ndërsa qytetarët me vështirësi mbyllin muajin!

Shqipëria nuk duhet të jetë bankomat për pushtetin!

Një kuti plot me euro. Tufa-tufa me kartëmonedha 50-euroshe. Një vilë luksoze në Dhërmi. Dhe një dosje e SPAK që ngre pikëpyetje të rënda për pasurinë e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Kjo është fytyra e një pushteti që u kërkon sakrifica qytetarëve, rrit taksat, rëndon sipërmarrjen dhe profesionet e lira, ndërsa në dosjet e drejtësisë dalin pasuri, vila luksoze dhe shuma të mëdha parash që kërkojnë shpjegim.

Ndërsa shqiptarët luftojnë për të mbyllur muajin, Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi politike për skandalet korruptive që kanë përfshirë njerëzit e tij më të afërt.

Si janë krijuar këto pasuri? Nga kanë ardhur këto para? Kush i ka siguruar dhe kujt i përkasin?

Nuk mund të qeverisësh një vend duke u kërkuar qytetarëve të shtrëngojnë rripin, ndërsa pasuria e pushtetarëve rritet në mënyrë të frikshme.

Ky rast nuk është vetëm çështje përgjegjësie politike, por dhe morale dhe ligjore.

Rama nuk mund të fshihet pas heshtjes, as të bëjë sikur nuk ka përgjegjësi për njerëzit që ka promovuar, mbrojtur dhe vendosur në krye të qeverisë.

SPAK duhet t’u japë përgjigje qytetarëve:

*A janë verifikuar fizikisht paratë që shfaqen në fotografi?

*Kujt i përkasin dhe nga e kanë origjinën?

*Pse nuk ka ende masa sigurie personale për përgjegjësit, nëse provat e administruara e justifikojnë këtë, ndërkohë që qytetarë janë arrestuar edhe për shuma prej 35 mijë lekësh të vjetra?

Edhe Partia Demokratike ka një detyrim publik!

Të bëjë transparente për qytetarët materialet e dosjes, të plotë siç ka ardhur tek Këshilli i Mandateve, dhe të largojë çdo hije dyshimi se aty mund të ketë prova apo komunikime që implikojnë drejtues të lartë të saj në marrëdhënie korruptive apo pazare politike.

Transparenca nuk mund të jetë selektive. Drejtësia nuk mund të ketë standarde të dyfishta. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

Shqipëria nuk është bankomati i pushtetit. Dhe shqiptarët nuk janë këtu për të paguar faturat e luksit të qeveritarëve!

Pushteti i Edi Ramës është kalbëzuar në çdo qelizë dhe largimi i tij një orë e më parë është shpëtimi për Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›