E Diel, 1 Nëntor 2026

Asani realizon dopietë në Champions-in aziatik, Mitaj vendimtar me Al Ittihad

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Jasir Asani ishte protagonist në ndeshjen e Champions-it aziatik, duke realizuar dy gola për Esteghlal, edhe pse skuadra e tij nuk arriti të sigurojë kualifikimin për në fazën tjetër të kompeticionit.

Asani zhbllokoi sfidën nga pika e penalltisë me një goditje të stilit “Panenka”, ndërsa golin e dytë e shënoi në minutën e 49-të me një goditje të saktë me të majtën nga jashtë zone, një prej specialiteteve të tij.

Takimi u mbyll me fitoren 3-2 të Al Hussein, rezultat që çoi në eliminimin e skuadrës së sulmuesit shqiptar.

Me këtë dopietë, Asani ka arritur në kuotën e 13 golave sezonalë në të gjitha kompeticionet.

Mbrëmja ishte pozitive edhe për mbrojtësin e Kombëtares, Mario Mitaj, i cili u rikthye protagonist me Al Ittihad.

22-vjeçari zhvilloi një paraqitje solide në mbrojtje dhe kontribuoi në aksionin që solli autogolin e kundërshtarit, pas një krosimi nga krahu i majtë.

Mitaj është rikthyer në fushë pas një periudhe jashtë listës së aktivizimit gjatë muajit janar, për shkak të rregullores mbi numrin e lojtarëve të huaj në kampionatin saudit.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›