E Diel, 1 Nëntor 2026

Asgjë e re nga “fronti” i Kosovës, një tjetër seancë e dështuar, palët nuk levizin nga qëndrimet

Për të 25-të herë radhazi, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet.

Në seancën e kësaj të hëne morën pjesë 104 deputetë, ndërsa seanca e radhës është caktuar të mbahet të mërkurën, në orën 11:00.

Këtë herë, Komisioni për votim të fshehtë mori vetëm 51 vota pro, një kundër dhe asnjë abstenim.

Që nga betimi i deputetëve më 19 prill, seanca ka ngecur pikërisht në pikën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Fillimisht, votimi për kryetare të Kuvendit, për kandidaten e LVV-së, Albulena Haxhiu, u zhvillua në mënyrë të hapur, por ajo nuk arriti asnjëherë të sigurojë votat e nevojshme për këtë pozitë.

Më pas, si zgjidhje, Vetëvendosje propozoi ngritjen e një Komisioni për votim të fshehtë – propozim që vazhdon të dështojë, ndërkohë që partia insiston në këtë opsion.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të tij mund të formohet qeveria.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›