Asim Vokshi zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese

TIRANË, 30 shtator/ATSH/ Gjykata e Lartë zgjodhi sot Asim Vokshin, anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në ambientet e Gjykatës së Lartë u zhvillua mbledhja e posaçme e gjyqtarëve të kësaj gjykate, me qëllim zhvillimin e procedurës së votimit për zgjedhjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.
Procesi u zhvillua në përputhje me parashikimet e Kushtetutës, ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, si dhe Rregullores së miratuar nga mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Në përfundim të votimit, komisioni pasi verifikoi vlefshmërinë dhe numrin total të votave për secilin kandidat, konstatoi se Asim Vokshi mori 6 vota; Naureda Llagami 8 vota dhe Florian Ballhysa asnjë votë.
Komisioni konstatoi gjithashtu edhe një fletë votimi të pavlefshme.
Në kushtet kur parashikimet ligjore përcaktojnë se shpallet fitues kandidati që merr 3/5 e votave të pjesëmarrësve, dhe në rastin e votimit të sotëm ku asnjë nga kandidatët nuk e arriti këtë prag, komisioni shpalli fitues kandidatin e renditur të parin nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Në këto kushte, Asim Vokshi u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi për zgjedhjen e Vokshi i komunikohet menjëherë Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe do të publikohet në Qendrën e Publikimeve Zyrtare.
/m.m/a.f/r.e/