KINEMA – Kidman dhe Urban ndahen pas pothuajse 20 vitesh

LONDËR, 30 shtator /ATSH/ – Ylli i Hollivudit, Nicole Kidman dhe këngëtari i njohur, Keith Urban janë ndarë pas gati 20 vitesh së bashku, sipas BBC.
Çifti i famshëm ka dy fëmijë, Sunday Rose, 17 vjeçe, dhe Faith Margaret, 14 vjeçe.
Fituesja e çmimit Oscar dhe këngëtari i muzikës country, katër herë fitues i çmimit Grammy, u martuan në qershor 2006.
TMZ raportoi për herë të parë lajmin dhe citoi burime që thanë se dyshja jetonte e ndarë që nga vera dhe se Kidman nuk e dëshironte ndarjen.
Arsyeja për ndarjen e tyre është e paqartë.
Kidman dhe Urban, të dy të rritur në Australi, kanë pasur ulje dhe ngritje në lidhjen e tyre gjatë gati dy dekadave.
Pak pas dasmës së tyre, Urban u regjistrua në qendër rehabilitimi për varësinë nga droga dhe alkooli.
Si ai ashtu edhe Kidman kanë thënë se problemet e tij me varësinë e kanë forcuar lidhjen e tyre.
Kidman dhe disa nga miqtë e tij të ngushtë organizuan një ndërhyrje që Urban tha se ia ndryshoi jetën.
“Gjithçka ishte projektuar, besoj, që ai moment të na bashkonte”, tha ai në paraqitjen e tij në vitin 2010 në ”The Oprah Winfrey Show”.
“Tani shikoj pas dhe e kuptoj që Nic më ka hapur sytë”, tha ai.
Dyshja u pa së bashku në qershor në një ndeshje të Kupës së Botës per Klubet në Nashville, Tenesi.
Aktorja e ”Babygirl” ka qenë e martuar më parë me aktorin Tom Cruise.
Dyshja ishte bashkë për më shumë se 10 vjet dhe gjithashtu ka dy fëmijë. Ata i dhanë fund martesës së tyre në vitin 2001./ /f.k/ /os/ a.jor.