E Diel, 1 Nëntor 2026

Asllani drejt firmës me Beshiktash

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Mesfushori i Kombëtares Shqiptare, Kristjan Asllani është pranë transferimit te Beshiktash në Superligën turke të futbollit.

Futbollisti 23-vjeçar, pas transferimit në formë huazimi në fillim të sezonit nga Interi te Torino në Serinë A, tashmë ndryshon sërish skuadër, duke u bërë gati të hedhë firmën për ekipin turk të Beshiktashit.

Asllani ka mbërritur sot në Stamboll, ku pritet t’i nënshtrohet vizitave mjekësore dhe më pas të firmosë kontratën 6-mujore me klubin turk, i cili ka publikuar edhe pamjet e para të mesfushorit shqiptar me fanellën e Beshiktashit.

“Kristjan Asllani, futbollisti profesionist me të cilin kemi nisur negociatat për transferimin, ka mbërritur në Stamboll për të vijuar bisedimet dhe për të kaluar kontrollin mjekësor”, njofton klubi turk.

23-vjeçari me origjinë nga Elbasani nuk arriti të shkëlqejë në fazën e parë të sezonit te Torino, por tashmë do të ketë në dispozicion gjithë fazën e dytë për të bindur trajnerin Sergen Yalçın dhe drejtuesit e klubit turk për një transferim përfundimtar.

Beshiktashi do të paguajë pagën e plotë të futbollistit shqiptar për periudhën që do ta ketë në dispozicion, ndërsa gjatë verës së ardhshme mund ta blejë nga Interi, pasi palët kanë përfshirë në kontratë edhe një opsion për blerjejen përfundimtare të të drejtave sportive të mesfushorit, por jo me detyrim.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›