Atentati në Lezhë/ Njëri nga autorët ishte në kërkim, vëzhguan çiftin që kur ishin në kafe. Gjendet një nga automjetet e përdorur prej tyre

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e çiftit të bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, mesditën e së dielës në fshatin Balldren. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se viktimat janë ndjekur që prej momentit të daljes së tyre nga banesa në zonën e Torovicës, përgjatë udhëtimit drejt Lezhës dhe gjatë ndalesës ku kanë konsumuar kafe në një lokal në dalje të qytetit.
Në pamjet e fokusuara në kamera shihet automjeti tip “Audi A4” dhe “Golf 5” pa targa, të cilët ishin ndaluar në anë të rrugës pranë lokalit ku po qëndronte çifti i bashkëshortëve. Por kalimi i një makine policie duket se i ka trembur, dhe makina pa targa, në të cilën ndodheshin dy qitësit, ka lëvizur drejt zonës së Balldrenit dhe ka qëndruar aty, ndërsa “Audi”-i ka vijuar monitorimin e çiftit kur kanë dalë nga lokali dhe deri në momentin kur janë ekzekutuar.
Ndërkohë, pas kontrolleve të pandërprera nga ana e policisë, është bërë e mundur gjetja e njërit prej automjeteve që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.
Sipas burimeve, mjeti tip “Golf 5”, pa targa, i përdorur nga autorët, është gjetur në Shkëmbin e Kuq. Në vendin ku u gjet mjeti, janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat pritet të dërgohen në laborator për analiza të mëtejshme.
Pamjet filmike kanë ndihmuar grupin hetimor që të zbardhë ngjarjen dhe të identifikojë autorët e dyshuar: Florin, Renato dhe Adriano Mhillaj. Ky i fundit rezulton se ishte në kërkim që prej 16 janarit 2026 edhe nga Policia e Shkodrës për veprat penale “kanosje me armë” dhe “mbajtje pa leje të armëve”.
Ngjarja e mëparshme ka ndodhur në zonën e njohur si “Kryqëzimi i Vinotekës” në Shkodër, ku pas një konflikti, Mhillaj dyshohet se ka kanosur me armë shtetasin Eduard Kësalla. Ky i fundit, sipas hetimeve, është kundërpërgjigjur duke qëlluar me armë zjarri dhe më pas është shpallur në kërkim për “vrasje në tentativë” dhe armëmbajtje pa leje.
Kësalla u arrestua rreth tre javë më parë në zonën e Freskut, në Tiranë, gjatë një operacioni policor të koduar “Operacionalja 89”, ndërsa Mhillaj nuk ishte arritur të prangosej.
Kërkimet për tre personat e shpallur në kërkim dhe për gjetjen e automjeteve dhe armëve të përdorura në vrasjen e çiftit Mujeci po vijojnë pa ndërprerje nga policia, por deri më tani nuk është arritur të bie në gjurmët e tyre.
Ndërkohë, burri dhe gruaja u përcollën këtë të martë për në banesën e fundit, në zonën e Torovicës, aty ku edhe jetonin.
Gazetar: Elvis Hila
/rtsh.al/