E Diel, 1 Nëntor 2026

Maturantët në përgatitje për provimet, nxënësit orientohen drejt arsimit professional

Në shkollën e bashkuar “Imer Mata” në Zapod kanë nisur përgatitjet intensive për provimet e maturës shtetërore. Stafi pedagogjik ka hartuar një plan të detajuar konsultimesh, me qëllim mbështetjen e maturantëve në përforcimin e njohurive dhe përgatitjen sa më të mirë për provimet përfundimtare.

“Kemi hartuar një plan konsultimesh për maturantët, si dhe kemi zhvilluar edhe para-teste për të vlerësuar gjendjen aktuale dhe nivelin e përgatitjes së tyre. Paralelisht, mësuesi koordinator i karrierës i informon maturantët mbi prirjet dhe aftësitë që ata kanë, duke i orientuar drejt përzgjedhjes së fakulteteve më të përshtatshme”, tha Haxhi Sinanaj, Drejtor i shkollës “Imer Mata”, Zapod,                      

Nga ana tjetër, vetë nxënësit shprehen se janë duke u angazhuar maksimalisht në këtë periudhë.

“Testet për provimet e maturës i kemi nisur një muaj më parë për konsultime dhe gjithçka po shkon në rregull, por ne si lëndë profesionale kemi zgjedhur që të shkojmë për shkollë mekanike. Kemi vazhduar me konsultimet e shkollës, ku po përgatitemi për provimet profesionale në hidraulikë. Unë dua që të studioj në shkollë të lartë për drejtësi”.

Përgatitjet vijojnë me ritme të qëndrueshme, ndërsa si mësuesit ashtu edhe nxënësit janë të fokusuar në arritjen e rezultateve sa më të mira në provimet e Maturës.

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›