Athina konfirmon rrëzimin e dronit nga sistemi Patriot në Arabinë Saudite

Një dron u rrëzua në orët e para të mëngjesit të së Hënës së Madhe, më 6 prill 2026, nga sistemi kundërajror grek Patriot i vendosur në Arabinë Saudite.
Lajmi u konfirmua nga Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare greke, duke theksuar se veprimi u krye në kuadër të misionit ndërkombëtar për mbrojtjen ajrore të Mbretërisë.
Sipas njoftimit zyrtar, Artileria e Raketave të Drejtuara Patriot e Forcave Helenike në Arabinë Saudite (ELDYSA), pjesë e iniciativës ndërkombëtare “Koncepti i Mbrojtjes së Integruar nga Raketat Ajrore (IAMD)”, lëshoi një raketë dhe neutralizoi objektivin ajror pa pilot (UAV), duke respektuar rregullat e angazhimit në fuqi.
Ky është një tjetër episod i angazhimit të forcave greke në mbrojtjen e infrastrukturës strategjike të Arabisë Saudite.
Vetëm pak javë më parë, më 19 mars, raketat greke Patriot kishin rrëzuar dy raketa balistike iraniane, duke mbrojtur objektet e kompanisë Aramco dhe sigurinë e rajonit.
Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Nikos Dendias, e kishte cilësuar atë ditë si “domethënëse”, duke theksuar se veprimet e baterisë greke Patriot nuk mbrojnë vetëm infrastrukturën saudite, por edhe standardin e jetesës së qytetarëve grekë dhe evropianë, pasi stabiliteti i çmimit të naftës ndikon drejtpërdrejt në ekonomitë e tyre.
Forcat greke në Arabinë Saudite vazhdojnë misionin e tyre normalisht, duke kontribuar në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
/rtsh.al/