E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthen bombola e gazit në një lokal në Lezhë, dëme të shumta materiale, fatmirësisht pa të lënduar

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në qytetin e Lezhës, në lagjen “Besëlidhja”, pranë një biznesi. Bëhet me dije se ka shpërthyer një bombol gazi, ku si pasojë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, jo vetëm në objektin ku ndodhi ngjarja, por edhe në bizneset përreth, automjetet e parkuara dhe në disa banesa pranë vendit të ngjarjes.

Sipas policisë, shpërthimi i bombolës ka ndodhur  rreth orës 23:00, në brendësi të një byrektoreje në pronësi të shtetasit K. M,. Bombola e gazit ka qenë rreth 50 litra, duke bërë që dhe forca e shpërthimit të saj të jetë e madhe.

Si pasojë janë thyer xhamat e tre automjeteve të parkuara pranë, si dhe duke shkaktuar dëmtime të jashtme në dy biznese ngjitur dhe në disa objekte të tjera në zonë. Banorët e lagjes janë alarmuar nga zhurma e fortë, ndërsa disa prej tyre kanë dalë jashtë të traumatizuar.

Fatmirësisht, nga të dhënat e deritanishme, nuk raportohet për persona të lënduar. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të shpërthimit. Ndërkohë, dëmet materiale janë konstatuar në një perimetër të gjerë përgjatë rrugës “Luigj Gurakuqi” në qytetin e Lezhës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›