Atletico Madrid kërkon Leon Avdullahun, Simeone e sheh si përforcimin ideal për mesfushën

Leon Avdullahu mund të bëjë një hap të madh në karrierën e tij, pasi emri i mesfushorit të Kosovës ka përfunduar në radarët e Atletico Madridit.
Sipas raportimeve të fundit të publikuara nga mediat sportive, duke iu referuar “Fussball Transfers”, klubi madrilen ka shfaqur interesim konkret për 22-vjeçarin, i cili aktualisht aktivizohet me Hoffenheimin në Bundesligën gjermane.
Trajneri Diego Simeone kërkon të përforcojë repartin e mesfushës me një futbollist që zotëron cilësi taktike, është i fortë në aspektin defensiv dhe di të përballojë presionin e kundërshtarëve. Pikërisht këto karakteristika e bëjnë Avdullahun një profil të përshtatshëm për filozofinë e teknikut argjentinas.
Interesimi i Atletico Madridit nuk është i ri. Skuadra spanjolle kishte shfaqur vëmendje ndaj mesfushorit edhe gjatë merkatos së verës, por Hoffenheimi nuk pranoi ta largonte, duke e konsideruar një element të rëndësishëm të projektit të tij sportiv.
Reklamë
Klubi gjerman e transferoi Avdullahun nga Baseli në vitin 2025, për një shumë të raportuar prej 8 milionë eurosh. Futbollisti i Kosovës ka fituar gradualisht një rol të rëndësishëm në skuadër dhe ka regjistruar 48 paraqitje zyrtare.
Një tjetër pengesë për një transferim të mundshëm është kontrata e tij me Hoffenheimin, e cila është e vlefshme deri në vitin 2031. Në listën e alternativave të Atletico Madridit për mesfushën përmenden gjithashtu Stefan Dzodic i Almerías dhe Mikel Merino i Arsenalit.
Për momentin bëhet fjalë për interesim dhe jo për një marrëveshje të konkretizuar, por fakti që një klub i kalibrit të Atletico Madridit po ndjek nga afër Avdullahun përbën një tjetër vlerësim të rëndësishëm për futbollistin e Kosovës.