Autizmi dhe përmasat e tij, në Shqipëri figurojnë rreth 2500 persona

Diagnoza e autizmit çdo vit po behet me e zhurmshme dhe me sfiduese për vetë prindërit. Rastet e hershme janë rritur, si pasojë numrat kane pësuar një rritje të fortë, po ashtu janë zgjeruar edhe shenjat diagnostike.
Në Shqipëri, bazuar në të dhënat epidemiologjike dhe ekonomiko-financiare të diskutuara dhe të referuara nga Akademia e Shkencave mbi Spektrin e Autizmit është vlerësuar se mund të ketë mbi 6000 deri në 14.000 fëmijë me autizëm, ndërkohë që sistemi shtetëror identifikon vetëm rreth 2500 raste që përfitojnë KEMP, nga të cilët rreth 1500 me kujdestari.
Prevalenca në rritje e këtij çrregullimi ka çuar në rritje të kërkesës për më shumë mbështetje dhe më shumë shërbime të specializuara shëndetësore. Terapistët thonë se është ulur mosha e fëmijëve, që prindërit arrijnë të kapin shenjat e para dalluese me spektrin e autizmit.
“Rastet që janë rritur po vijnë që në moshë të hershme. Nëse vinin në moshën 2-3 vjeç tani vijnë që 18 muajsh”, u shpreh Endi Hadushi, terapist ABBA, Qendra Rajonale për Autizmin.
Rritja e ndërgjegjësimit dhe kapja në kohë e rasteve përkthehet në një ecuri më efikase në trajtimin për integrimin e këtyre fëmijëve në shoqëri.
“Një prind që është vëzhgues i mirë mund ta dallojë që në moshë të hershme ku është mungesa e kontaktit me sy, nuk ka buzëqeshje sociale, nuk ndërvepron kurrë thirret me emër apo më fëmijët e tjerë etj.”, u shpreh Hadushi.
Sipas të dhënave për vitin 2025 nga Ministria e Shëndetësisë, fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit përfitojnë 76 shërbime publike ditore dhe rezidenciale në vend, si në nivel bashkie, apo edhe me mbështetjen e partnereve ndërkombëtar. Gjithashtu, shërbimi përfitohet edhe në 6 Qendra multidisiplinare, të cilat ofrojnë shërbime të specializuara.
/RTSH/