E Hënë, 2 Nëntor 2026

Autoriteti i Konkurrencës paralajmëron hetim të thelluar në tregun e telefonisë celulare

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba deklaroi sot se shumë shpejt pritet të nisë një hetim i thelluar në fushën e telefonisë celulare.

Gjatë raportimit vjetor në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Biba tha se në vitin 2024, Autoriteti ka marrë nën monitorim tregun e telefonisë celulare.

“Në vitin 2024 e morëm nën monitorim dhe dolëm me një vendim duke i kërkuar rregullatorit sektorial që të përgatiste një studim sa i përket kostove të shërbimeve të këtij tregu që do të na lehtësonte situatën, hapin tonë të dytë që e ndërmorëm në 2025, që do të kishte një hetim në atë treg. Me shumë gjasë, por nuk po e paragjykoj, do të kalojë në hetim të thelluar shumë shpejt, në krye të pak ditëve, dhe të shikojmë se cili do të jetë rezultati”, tha Biba.

Biba u përgjigj edhe sa i përket tregut të hidrokarbureve dhe ankesave të lidhura me çmimin e karburanteve në vend.

“E kemi marrë në shqyrtim dhe kemi kryer një hetim të thelluar për këtë treg. Pjesa më e madhe e çmimit lidhet me politikën fiskale të caktuar nga qeveria, dhe mënyrën si vendos mbledhjen e taksave, që arrijnë afërsisht në 1 euro, duke përfshirë taksat e qarkullimit, taksën e karbonit dhe TVSH-në. Çmimet nuk do të ulen asnjëherë në rast se nuk ulen taksat”, tha ai.

Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Eno Bozdo, kërkoi që Autoriteti të përfshijë ndihmën shtetërore për hetimet.

“Mos lini jashtë ndihmën shtetërore. Mund të qëndrojë aty ku është, por me detyrime të raportojë gjithçka, jo vetëm elementët më të rëndësishëm dhe jo kur i teket asaj. Ai modeli DG Competition ka brenda edhe ndihmën shtetërore. Nuk mund të bëhet një analizë pa ndihmën shtetërore”, tha Bozdo.

Për fat të keq, shtoi Bozdo, shtrembërimet më të mëdha në nivelet makro këtu në Shqipëri ndodhin nga ndihma e fshehur shtetërore, taksa të falura, investime që shkojnë në zona me pronë publike që jepen.

Ai i kërkoi AK-së të paraqesë kërkesat për instrumentet e nevojshme që duhen shtuar apo përmirësuar për të rritur hetimet në tregje, duke e siguruar për mbështetjen e opozitës.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›