E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balluku: Mbyllim 9 muaj para afatit fazën e dytë të punimeve në autostradën Tiranë-Durrës

TIRANË, 23 tetor/ATSH-Maela Marini/ Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë inspektoi sot kantierin e Autostradës Tiranë-Durrës, ku tashmë punimet kanë avancuar ndjeshëm.

Balluku theksoi se ky është një nga kantieret që po ecën më mirë në të gjithë Shqipërinë.

“Ndodhemi në fazën e dytë të këtij kantieri. Faza e parë ka një ecuri të mirë të qëndrueshme, 65%. Ndërkohë që faza e dytë ka 80% ecuri”, u shpreh Balluku.

Pavarësisht se afati kontraktual është shtatori 2026, Balluku shprehu bindjen se për festat e fundvitit segmenti ku po punohet do të dorëzohet i përfunduar.

“Pavarësisht se afati kontraktual është shtatori i vitit 2026, ne jemi afër 200 metrave të fundit, afër mbikalimit të Kasharit. Jemi duke krijuar trasenë aty për pjesën e re dhe shpresojmë ta dorëzojmë 9 muaj para afatit”, tha Balluku.

Balluku theksoi se tashmë autostrada Tiranë-Durrës në 6 kilometrat e parë, duke nisur nga “Casa Italia” dhe deri në mbikalimin e Kasharit kthehet në një autostradë të tipit A me një gjerësi 32,5 metra.

“Autostrada ka tri korsi nga të dyja krahët plus një korsi emergjence, pra bëhet me katër korsi nga të dyja krahët. Ecuria e projektit është shumë e mirë. Faza e parë është 65%, ndërkohë në fazën e dytë e kemi 85%. Kemi edhe dy nyjet lidhëse, njërën me Laknasin dhe tjetra ura e re që do të ndërtohet për njërën nga hyrjet në Rinas”, u shpreh Balluku.

Balluku theksoi se “presim që fazën e parë dhe fazën e dytë ta dorëzojmë në fund të muajit dhjetor, sigurisht duke bërë një axhustim të trafikut”.

Po ashtu, Balluku u shpreh se “kemi komplet plane të tjera për të gjithë arredimin urban por edhe për gjelbërimin e autostradës”.

“Kemi nisur nga puna edhe për të bërë një ndryshim brenda tuneleve të ‘Shqiponjës’ për sa i përket arredimit, duke qenë se janë hyrje zyrtare të Tiranës. Ndërkohë që po punohet në të gjithë vendin dhe në të gjitha akset rrugore për sa i përket pastrimit nga ndërtimet pa leje në afërsi të akseve rrugore që nuk kanë respektuar distancën. Gjelbërimi do të jetë një element thelbësor për gjitha akset kombëtare”, siguroi Balluku.

Ndërkohë kanë nisur punimet për kontratën e fazës së tretë të autostradës Tiranë-Durrës, e cila parashikon vijimin e zgjerimit të rrugës.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›