Doganat dhe AKSHE, marrëveshje për kontroll më efektiv të mallrave ushtarake

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Në prani të ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu dhe atij të Financave Petrit Malaj, u nënshkrua sot në Tiranë marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE).
Marrëveshja u firmos nga drejtori i përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli dhe drejtori i AKSHE, Andrea Shllaku.
Kjo marrëveshje ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve për lehtësimin e zbatimit të kuadrit ligjor në fuqi dhe për zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta në fushën e kontrollit të mallrave me përdorim të dyfishtë dhe atyre ushtarake. Palët angazhohen të zhvillojnë një platformë efektive komunikimi dhe shkëmbimi informacioni, si dhe të ofrojnë asistencë teknike gjatë identifikimit dhe klasifikimit të mallrave që hyjnë ose dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu, është parashikuar që të dy institucionet të realizojnë një analizë të përbashkët të riskut, me objektiv minimizimin e rreziqeve që lidhen me transferimet ndërkombëtare të mallrave ushtarake, artikujve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë, duke përfshirë edhe parandalimin e trafikut të tyre të paligjshëm.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje pritet të sjellë rezultate të prekshme në: rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale; përmirësimin e kohës së reagimit dhe verifikimit; forcimin e mbrojtjes kundër përdorimeve të paligjshme të mallrave strategjike dhe përputhshmërinë e plotë me regjimet dhe standardet ndërkombëtare të kontrollit të eksporteve.
Iniciativa kontribuon në garantimin e sigurisë kombëtare, mbrojtjen e interesave strategjike të shtetit dhe përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, duke komentuar marrëveshjen, theksoi rëndësinë e saj në kuadër të ringritjes së industrisë ushtarake shqiptare, duke thënë se: “Pas një pune njëvjeçare të institucioneve përkatëse tashmë kemi një kuadër institucional bashkëpunimi, ndarje informacioni në kohë reale dhe në kushtet kur Shqipëria po ringre industrinë ushtarake kërkohet një qasje të re nga agjencitë tona ligjzbatuese në kontrollin e mallrave ushtarake dhe atyre me përdorim të dyfishtë.”
Ai shtoi se, “marrëveshja e firmosur sot midis Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve dhe Doganave Shqiptare shënon një moment të ri të bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë fushë, me qëllim linjëzimin e plotë me normat dhe standardet e Bashkimit Europian.”
Ndërsa ministri i Financave, Petrit Malaj, nënvizoi se, “marrëveshja do të forcojë bashkëpunimin midis dy institucioneve, që të ketë një kontroll më të thelluar dhe të shtuar sa i takon mallrave ushtarake apo dhe mallrave me përdorim të dyfishtë për qëllime ushtarake dhe për qëllime civile.”
Kjo marrëveshje synon të forcojë kontrollin e mallrave strategjike, të përmirësojë shkëmbimin e informacionit dhe të rrisë përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare, duke kontribuar në sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e interesave strategjike të Shqipërisë.
1 nga 3/e.xh/a.f/r.e/