Avokati i Popullit: Nismë për mjekimin e fëmijëve, Shabani: Jo më me “GoFundMe”

1 Qershori bëri bashkë në sheshin “Nënë Tereza” nxënës të shkollave 9-vjeçare në Tiranë. Mes një atmosfere festive, në ditën kushtuar të drejtave dhe mirëqenies së tyre, fëmijët uruan:
“Gëzuar 1 Qershorin.”
“Paqe dhe lumturi.”
“Ishalla po bëhet mbarë, gjithë dëshirat tona të realizohen.”
“Të gjitha të drejtat e fëmijëve duhet të respektohen.”
Mes kontrastit të ngjyrave, këndeve artistike dhe sportive, sheshi i mbushur plot me grupet e koreve nga të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar në kryeqytet ofroi një panoramë të gjallë. Në fund, nxënësit performuan një këngë të përbashkët, duke sjellë zërin e tyre si mesazh kryesor të ditës.
Në vijim të kësaj dite, Avokati i Popullit hapi dyert për iniciativën qytetare “Nisma për fëmijët”, ku një grup prindërish, me autorizim nga KQZ, po mbledhin firma për të propozuar një ligj që garanton financimin e plotë nga shteti për kurimin e fëmijëve brenda ose jashtë vendit.
Shabani u shpreh se “Është e pajustifikueshme që ne ende në Shqipëri na duhet të ngrejmë GoFundMe për të financuar trajtimin shëndetësor të fëmijëve shqiptarë. E kam të vështirë të gjej kush do jetë ai deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe do votojë kundër.”
Nga ana e saj, Zyra e Komisionerit ka publikuar udhëzuesin “Për mbrojtjen e të dhënave personale të të miturve”, me synim rritjen e ndërgjegjësimit të fëmijëve, prindërve dhe institucioneve mbi rëndësinë e të dhënave të tyre për një mjedis më të sigurt digjital.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/