E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Popullit tek “Zyber Hallulli”: Transferimi në godinë tjetër, plan masash për sigurimin e kushteve

Avokati i Popullit, Endri Shabani ngre shqetësimin për fazën tranzitore të transferimit të 39 fëmijëve nga “Zyber Hallulli” drejt një godine të re, ndërsa kërkoi që procesi të garantojë të gjitha kushtet për këta fëmijë.

“Një nga objektivat kryesorë të seksionit për të drejtat e fëmijëve është zgjidhja e çështjes së fëmijëve që janë në situatë rruge. Ne gjithashtu jemi shumë të shqetësuar për fazën tranzitore, për kalimin nga ky institucion në një institucion tjetër për këta fëmijë, dhe duam të sigurohemi që ky transferim të garantojë interesin më të lartë të fëmijës”, tha Shabani.

Shërbimi Social Shtetëror informoi se transferimi do të jetë i përkohshëm dhe i monitoruar me një plan masash deri në përfundimin e godinës së re, ndërsa drejtuesja e Shtëpisë së Fëmijës, Valbona Imeraj tha se ende nuk është marrë një vendim konkret, por se projekti do të jetë ambicioz.

“Konkretisht, projekti do të jetë ambicioz. Nuk është marrë asnjë lloj vendimi deri tani, por ndërtesa e re është shumë ambicioze, vetëm 200 metra më larg se kjo, me një sipërfaqe prej 4700 m²” tha ajo.

Projekti parashikon ndërtimin e dy objekteve publike, Korpusit të Inspektorateve dhe Shtëpisë së re të fëmijëve “Zyber Hallulli”, e cila do transferohet në një tjetër zonë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›