E Diel, 1 Nëntor 2026

Mikrofinanca- 3800 kredi gjatë vitit që lamë pas, u mbështetën bizneset e vogla

Financimi përmes mikrokredisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen jo vetëm të bizneseve, por edhe të ekonomive lokale në të gjithë vendin. Mikrofinanca ka publikuar raportin vjetor, duke raportuar një portofol kredie prej rreth 7 miliardë lekësh dhe depozita të anëtarëve që arritën në 5.6 miliardë lekë.

Kryetarja e Këshillit Drejtues, Zana Konini, vlerësoi këto rezultate si fryt i punës së përkushtuar për forcimin e përfshirjes financiare dhe mbështetjen e komuniteteve.

“Vizioni ynë daton që nga viti 1992, por është i suksesshëm sepse është mbështetur vazhdimisht në inovacione teknologjike, me produkte të cilat synojnë jo vetëm rritjen e situatës ekonomike të fermerit individual, por edhe përmirësimin e gjithë situatës ekonomike të zonës ku ne punojmë”, tha ajo.

Drejtori Ekzekutiv, Perlat Sulaj, theksoi se prioritetet për vitin 2026 do të jenë rritja e qëndrueshme, zhvillimi digjital, siguria teknologjike dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve.

“Kushtet e tregut kërkojnë që shumat e kredisë të jenë më të mëdha sesa kanë qenë në të kaluarën. Fermat kanë filluar të zhvillohen më shumë dhe nevojat financiare janë më të larta. Natyrisht, kjo do të shoqërohet edhe me asistencë teknike për fermerët”, tha Sulaj.

Gjatë vitit 2025 u disbursuan mbi 3,800 kredi të reja me vlerë rreth 3.35 miliardë lekë, duke mbështetur ekonominë lokale dhe krijimin e vendeve të punës. Një fokus i veçantë iu kushtua fermerëve, grave sipërmarrëse dhe bizneseve të vogla përmes financimit, këshillimit dhe trajnimeve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›