E Diel, 1 Nëntor 2026

BAGDAT – Milicia e lidhur me Iranin kërcënon me dhunë pas tërheqjes së SHBA-së nga Iraku

BAGDAT, 30 shtator /ATSH – DPA/ – Milicia irakiane Kataib Hezbollah, e lidhur me Iranin, ka kërcënuar me rikthimin e dhunës në Irak, në një kohë kur ushtria amerikane ka përfunduar tërheqjen e saj nga vendi.

Në një deklaratë, grupi paralajmëroi se do të synojë rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Ali al-Zaidi “me çdo mjet”, nëse ajo ndërmerr hapa që, sipas milicisë, bien ndesh me “interesat e popullit”.

Kataib Hezbollah kërcënoi gjithashtu se do të qëllojë ndaj “avionëve armiqësorë” që hyjnë në hapësirën ajrore irakiane.

Tërheqja e trupave amerikane, e përfunduar të mërkurën, ka shtuar shqetësimet për një përkeqësim të situatës së sigurisë në Irak. Milicitë fillimisht pritej të çarmatoseshin paralelisht me largimin e forcave amerikane, por procesi është shtyrë deri në qershor të vitit të ardhshëm.

Disa prej këtyre grupeve paraushtarake janë përfshirë tashmë në strukturat e sigurisë së Irakut dhe financohen nga shteti, por vazhdojnë të kenë armët dhe komandantët e tyre.

Pozicioni i tyre brenda strukturave shtetërore, së bashku me ndikimin e Teheranit, u ka mundësuar në disa raste të veprojnë jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të qeverisë irakiane.

Disa prej milicive bëjnë pjesë në të ashtuquajturin “Boshti i Rezistencës” të Iranit, një rrjet grupesh të armatosura përmes të cilave Teherani synon të kundërshtojë ndikimin amerikan dhe izraelit në rajon. /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›