E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – Rutte: NATO është aleancë mbrojtëse, Rusia të ndalojë kërcënimet bërthamore

BRUKSEL, 30 shtator /ATSH/- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha sot se nuk ka një kërcënim të menjëhershëm ndaj territorit të NATO-s nga Rusia, duke reaguar ndaj paralajmërimeve të Moskës për përdorimin e armëve bërthamore, në rast të një përpjekjeje për të izoluar Kaliningradin, sipas “Reuters”.

Rusia ka paralajmëruar NATO-n se do të ishte e gatshme të përdorte, nëse do ta konsideronte të nevojshme, edhe armë bërthamore, në rast se aleanca do të përpiqej të shkëpuste Kaliningradin nga pjesa tjetër e territorit rus.

Kaliningradi është një territor rus në Detin Baltik, i vendosur mes Polonisë dhe Lituanisë.

Rutte reagoi ndaj mesazhit rus duke theksuar se NATO është një aleancë mbrojtëse dhe i bëri thirrje Moskës të ndalojë kërcënimet bërthamore.

“Duhet të ruajmë pak qetësi nga ana e NATO-s”, tha Rutte, duke shtuar se aleanca do të vazhdojë njëkohësisht me aktivitetet e saj të mbrojtjes.

Ai theksoi se, nëse Rusia do të ndërmerrte një veprim ushtarak ndaj Finlandës, Polonisë apo ndonjë vendi tjetër të NATO-s, një veprim i tillë do të shoqërohej paraprakisht nga grumbullimi i forcave ushtarake.

Rutte tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të përfshira në mbrojtjen e Evropës, përfshirë mbrojtjen me mjete konvencionale dhe bërthamore.

“NATO do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe të investojë në mbrojtjen e saj”, shtoi ai.

Rutte deklaroi gjithashtu se presidenti rus Vladimir Putin nuk duket i gatshëm të negociojë për përfundimin e luftës në Ukrainë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›