E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Po shqyrtojmë vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit

Bashkimi Evropian po konsideron vendosjen e sanksioneve më të forta kundër Iranit. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen theksoi se sanksionet aktuale po “dobësojnë regjimin” iranian.

Pas një mbledhjeje të komisionerëve të BE-së në Limassol të Qipros, ajo tha se BE-ja po shikon mundësinë për të sanksionuar individë iranianë – përveç atyre që bëjnë pjesë në Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) – që janë përgjegjës për shtypjen e dhunshme të protestave.

Von der Leyen shtoi se populli i Iranit, që po lufton me guxim për ndryshim, ka mbështetjen e plotë politike të Bashkimit Evropian.

Kjo vjen në mes të protestave të vazhdueshme të qytetarëve iranianë kundër qeverisë teokratike, me raporte për represion të ashpër, viktima të shumta dhe kufizime të internetit.

BE-ja ka paralajmëruar se do të propozojë shpejt masa të reja sanksionesh, në bashkëpunim me Përfaqësuesen e Lartë për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, duke u fokusuar te ata që janë përgjegjës për dhunën kundër protestuesve.

Sanksionet ekzistuese të BE-së tashmë përfshijnë të gjithë Gardën Revolucionare si entitet për shkelje të të drejtave të njeriut.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›