Reparti i Xhenios rikthen në funksion urën e Xhyrës në Librazhd, Vengu: Sigurojmë infrastrukturën kritike pas reshjeve intensive

Reparti i Xhenios i Forcave të Armatosura ka përfunduar me sukses riparimin e urës së Xhyrës në Librazhd, duke rikthyer në normalitet qarkullimin për rreth 2 000 banorë të zonës.
Ura ishte dëmtuar rëndë nga reshjet intensive të ditëve të fundit, të cilat shkaktuan rrëshqitje dherash dhe probleme të shumta në infrastrukturën rrugore.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë një inspektimi në terren, deklaroi se ndërhyrja është realizuar në kohë rekord falë reagimit të menjëhershëm të Forcave të Armatosura dhe bashkëpunimit me Bashkinë e Librazhdit.
“Falë punës së përbashkët u bë i mundur çlirimi i aksesit dhe garantimi i qarkullimit për komunitetin e zonës,” u shpreh ai.
Vengu nënvizoi se të gjitha strukturat e emergjencave, Forcat e Armatosura dhe bashkitë janë të angazhuara në rehabilitimin e zonave të dëmtuara nga rrëshqitjet e dherave, si edhe të infrastrukturës kritike që lidh fshatrat dhe zonat rurale me njëra-tjetrën.
Ai theksoi se kjo është pjesë e një përpjekjeje kombëtare dhe gjithshtetërore për të garantuar sigurinë dhe lëvizjen e qytetarëve.
Ministri vuri në dukje se zona e Xhyrës ka një rëndësi të veçantë edhe për turizmin, duke e cilësuar si një destinacion atraktiv për bujtinat, verën dhe kulinarinë lokale.
“Kjo zonë është mjaft atraktive për turizmin dhe rikthimi i qarkullimit është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e saj,” tha Vengu.
Në videon e bërë publike në rrjetet sociale, ministri shprehet se punimet për rehabilitimin e infrastrukturës po zhvillohen paralelisht edhe në qarqe të tjera si Selenicë e Vlorës, Gjirokastër dhe Delvinë, ndërsa ndërhyrjet kanë përfunduar në Laç dhe Shkodër.
Në vijim mbeten për t’u realizuar dy ura në Tiranë, në zonën e Baldushkut, si dhe në Elbasan e Librazhd.
Vengu kujtoi se në buxhetin e vitit 2026 Ministria e Mbrojtjes ka çelur thirrjen për projekte infrastrukturore parandaluese, ku përfshihen edhe urat, jo vetëm ato të tipit “bailey”, por edhe ura klasike me betonarme, me qëllim përballimin e kushteve të vështira atmosferike.
Ministri Vengu theksoi se ndërhyrjet e shpejta të Repartit të Xhenios dhe strukturave vendore janë thelbësore për rikthimin e normalitetit dhe sigurinë e komuniteteve të prekura.
/rtsh.al/