E Hënë, 2 Nëntor 2026

BE dhe Këshilli i Evropës forcojnë mbështetjen për reformat dhe integrimin e Shqipërisë në BE

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Përfaqësues të Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe institucioneve shqiptare u mblodhën sot në Tiranë në tryezën e Komitetit Drejtues të Përfituesve të programit “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” (Instrumenti Horizontal III). Takimi theksoi rëndësinë strategjike të partneritetit midis BE-së dhe Këshillit të Evropës në mbështetje të reformave të vazhdueshme në Shqipëri, sidomos atyre që lidhen me përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Institucionet shqiptare ritheksuan angazhimin e tyre për të garantuar suksesin afatgjatë të reformave, ndërsa zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, nënvizoi rolin kyç të Instrumentit Horizontal III në avancimin e drejtësisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër korrupsionit dhe diskriminimit.

Fino në fjalën e saj ritheksoi rolin thelbësor të avancimit të axhendës së reformave të Shqipërisë dhe procesit të anëtarësimit në BE, siç pasqyrohet në rekomandimet e organeve monitoruese të Këshillit të Evropës.

“Procesi i integrimit në BE nuk ka të bëjë vetëm me plotësimin e kritereve teknike, por me garantimin që reformat të jenë të rrënjosura thellë në institucionet tona”, theksoi ajo.

Shefja e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Ritva Heikkinen përgëzoi progresin e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në BE, duke deklaruar se, “bisedimet e anëtarësimit të Shqipërisë kanë avancuar shumë shpejt këtë vit dhe të gjitha kapitujt e negociatave janë tashmë të hapur”.

“Kapitujt 23 dhe 24 mbi gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë janë boshti i të gjithë procesit nga fillimi deri në fund. Ne jemi të angazhuar të mbështesim Shqipërinë në përmbushjen e kritereve në këta kapituj kyç, përfshirë përmes programit tonë të përbashkët me Këshillin e Evropës”, tha ajo.

Drejtori i Drejtorisë së Koordinimit të Programeve në Këshillin e Evropës, Claus Neukirch vuri në dukje se, “ndërsa Shqipëria shënon 30 vjet anëtarësim në Këshillin e Evropës, ne jemi jashtëzakonisht krenarë për rolin tonë aktiv në formësimin e reformave dhe vendosjen e themeleve për një të ardhme më të fortë evropiane. Instrumenti Horizontal ka qenë thelbësor në këtë rrugëtim, duke vendosur të drejtat e qytetarëve në qendër të këtyre reformave”.

Takimi u përqendrua në sfidat kryesore të hasura në zbatimin e projekteve të Instrumentit Horizontal III.

Së bashku ato përfaqësojnë një përpjekje të rëndësishme për të përmirësuar efikasitetin gjyqësor, për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të luftuar krimin ekonomik, për të përmirësuar të drejtat e pronësisë, për të luftuar diskriminimin dhe për të garantuar lirinë e medias në Shqipëri, duke vendosur një bazë të fortë për reformat e ardhshme të qeverisjes.

Disa nga arritjet kyçe përfshijnë rritjen e efikasitetit gjyqësor përmes forcimit të mbledhjes dhe analizës së të dhënave për institucionet gjyqësore shqiptare.

Prezantimin e Terapisë të Bazuar në Trauma për gratë e dënuara, së bashku me përmirësimin e aftësive të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, lidhur me sigurinë dhe rehabilitimin.

Forcimin e kapaciteteve të magjistratëve për të hetuar korrupsionin, pastrimin e parave dhe krimin e organizuar duke respektuar të drejtat e njeriut.

Ndihmë ofruar Kuvendit në hartimin e një Plani Veprimi për Qeverisjen e Mirë, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, duke përfshirë legjislacion të ri për lobimin dhe reforma në financimin e partive politike.

Ndryshimet në Ligjin nr. 133/2015 që ndihmuan në adresimin e prapambetjeve të kompensimit të pronës.

Legjislacioni kundër diskriminimit i rishikuar në përputhje me direktivat e BE-së dhe standardet e Këshillit të Evropës.

Nisma për edukimin mediatik dhe kundër gjuhës së urrejtjes, të organizuara me Aleancën kundër Urrejtjes, autoritetet rregullatore të medias dhe shoqërinë civile, me synim luftimin e dezinformimit.

Forcimin r bashkëpunimit institucional për të rritur sigurinë e gazetarëve përmes protokolleve të përmirësuara për policinë dhe gjyqësorin.

Instrumenti Horizontal III është një nismë e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, që zbatohet nga viti 2023 deri në 2026.

Ai mbështet përpjekjet e rajonit për të realizuar agjendat e reformave në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, në përputhje me standardet e BE-së, si dhe luan një rol thelbësor në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

1 nga 12

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›