BRUKSEL – BE refuzon vizionin e zymtë të paraqitur në strategjinë e sigurisë së SHBA-së

BRUKSEL, 5 dhjetor /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian, i udhëhequr nga Ursula von der Leyen, ka hedhur poshtë me vendosmëri akuzat e bëra ndaj Bashkimit Evropian në strategjinë e re të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Zëdhënësja kryesore e Komisionit, Paula Pinho, kundërshtoi sot aludimet se BE-ja gjoja cenon liritë politike dhe sovranitetin, dëmton kontinentin përmes politikave të saj të migracionit dhe pengon lirinë e shprehjes.
Megjithatë, ajo tha se nuk dëshiron të komentojë më tej strategjinë e re të SHBA-së në këtë fazë.
“Ende nuk kemi pasur kohë ta shqyrtojmë dhe ta vlerësojmë, ndaj nuk jemi në pozicion të komentojmë asnjë pjesë të saj”, tha Pinho.
Strategjia e re e sigurisë, e publikuar nga Shtëpia e Bardhë dje në mbrëmje, paraqet një tablo të zymtë për situatën në Evropë.
“Sfidat kryesore me të cilat përballet Evropa përfshijnë aktivitetet e Bashkimit Evropian dhe organeve të tjera ndërkombëtare që minojnë liritë politike dhe sovranitetin; politikat e migracionit që po e transformojnë kontinentin dhe po krijojnë tensione; censurën e lirisë së fjalës dhe shtypjen e opozitës politike; rënien e normave të lindjeve dhe humbjen e identiteteve kombëtare dhe vetëbesimit”, thuhet në dokument.
”Sa i përket luftës së Rusisë kundër Ukrainës, administrata Trump e gjen veten në kundërshtim me zyrtarët evropianë, të cilët mbajnë pritshmëri jorealiste për luftën dhe janë pjesë e qeverive të brishta të pakicës, shumë prej të cilave shkelin parimet bazë të demokracisë për të shtypur opozitë”, thuhet në dokument.
Dokumenti shton se shumica e evropianëve kërkon paqe, por kjo dëshirë reflektohet pak në politikë, kryesisht sepse qeveritë aktuale po minojnë proceset demokratike./ /Ad.Ab./