E Premte, 6 Nëntor 2026

BE humb rreth 60 miliardë euro çdo vit nga parajsat fiskale

Vendet e Bashkimit Evropian humbin çdo vit rreth 60 miliardë euro të ardhura nga tatimet, për shkak të transferimit të fitimeve të kompanive shumëkombëshe në parajsa fiskale, ku normat tatimore janë më të ulëta.

Sipas një analize të organizatës Tax Justice Network, këto praktika u mundësojnë korporatave të mëdha të deklarojnë fitimet në juridiksione me tatime të favorshme, në vendet ku zhvillojnë realisht aktivitetin e tyre ekonomik.

Franca dhe Gjermania janë vendet që pësojnë humbjet më të mëdha. Franca humb rreth 13.1 miliardë euro në vit, ndërsa Gjermania 11.8 miliardë euro. Së bashku, këto dy shtete përbëjnë 42 për qind të humbjeve të përgjithshme të Bashkimit Evropian.

Humbje të konsiderueshme regjistrojnë edhe Spanja, me 4.8 miliardë euro, Polonia me 4.7 miliardë dhe Belgjika me 4.1 miliardë euro. Ndërkohë, Italia humb 3.6 miliardë euro dhe Holanda 3.5 miliardë euro në vit.

Ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre humbjeve lidhet me rrjetin e territoreve britanike që shërbejnë si parajsa fiskale. Sipas analizës, rreth tetë miliardë euro nga humbjet e vendeve të BE-së lidhen me këtë rrjet, që përfshin Ishujt e Virgjër Britanikë, Ishujt Kajman dhe Bermudet.

Transferimi i fitimeve ndodh kur kompanitë deklarojnë të ardhurat në vende me tatime më të ulëta, në vend të shteteve ku zhvillojnë aktivitetin ekonomik. Kjo realizohet shpesh përmes transaksioneve brenda të njëjtit grup të kompanive, duke zvogëluar fitimin mbi të cilin duhet të paguhet tatimi.

Sipas OECD-së, shumica e këtyre praktikave nuk janë të paligjshme, por ato dëmtojnë sistemet tatimore dhe ulin të ardhurat e buxheteve shtetërore.

Edhe vetë Mbretëria e Bashkuar pëson humbje të mëdha nga kjo praktikë. Vlerësohet se ajo humb rreth 14.7 miliardë euro në vit, pasi kompanitë shumëkombëshe transferojnë fitimet në parajsa fiskale në pjesë të tjera të botës.

Në nivel global, humbjet janë edhe më të mëdha. Kur përfshihen edhe pasuritë e padeklaruara të individëve të pasur në llogari jashtë vendit, humbjet nga abuzimet tatimore vlerësohen në rreth 416 miliardë euro në vit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›