E Premte, 6 Nëntor 2026

NJU JORK - Gjashtë të vdekur dhe disa të lënduar nga zjarri në një ndërtesë banimi - ATSH -

NJU JORK, 6 nëntor /ATSH-AA/ – Gjashtë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë lënduar pasi një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një ndërtesë banimi në Nju Jork në orët e para të së enjtes, sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Qytetit të Nju Jorkut (FDNY).

Banorët e zonës njoftuan për zjarrin që shpërtheu në lagjen Sunset Park, në Bruklin, pak pas orës 01:30. Zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje brenda tri minutash nga marrja e njoftimit.

“Me të mbërritur, kishte zjarr në çdo kat – në bodrum, në katin e parë dhe të dytë – flakët dilnin nga çdo dritare dhe na pritën te dera kryesore”, tha shefi i operacioneve zjarrfikëse, Kevin Woods.

Ekipet e zjarrfikësve vepruan me shpejtësi për të vënë zjarrin nën kontroll, duke përdorur zorrë uji në çdo kat për të luftuar flakët.

Sipas FDNY-së, katër viktima u shpallën të vdekura në vendngjarje, ndërsa dy të tjera humbën jetën pasi u transportuan në spitalet në afërsi.

Zjarrfikësit shpëtuan gjithashtu disa persona të bllokuar në pjesën e pasme të katit të parë, ku hekurat e vendosura në dritare ua kishin pamundësuar daljen. Operacioni u vështirësua nga shembja e pjesshme e një shkalle të brendshme.

Nga zjarri u lënduan edhe katër civilë të tjerë, tre zjarrfikës dhe dy policë.

FDNY-ja bëri të ditur se në ndërhyrje morën pjesë 74 njësi me gjithsej 231 pjesëtarë të shërbimeve zjarrfikëse dhe mjekësore emergjente. Zjarri u vu nën kontroll rreth orës 04:30.

Shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga inspektorët e zjarrfikësve.   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›