E Diel, 1 Nëntor 2026

BE i kërkon TikTok-ut të ndryshojë dizajnin që krijon varësi ose do të përballet me gjoba të mëdha

BRUKSEL, 6 shkurt /ATSH/- BE-ja i ka kërkuar platformës së medias sociale, TikTok, të ndryshojë “dizajnin e saj problematik” ose në të kundërt do të përballet me gjoba të rënda, pasi zbuloi se rrjeti i ndarjes së videove kishte shkelur rregullat e saj të sigurisë në internet, sipas BBC.

Kjo vjen pas një hetimi që filloi në shkurt 2024 ndaj aplikacionit në pronësi kineze nga Komisioni Evropian.

Në raportin e tij paraprak, Komisioni tha se TikTok-u nuk kishte vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme se si veçoritë si, “autoplay” mund të dëmtonin mirëqenien e përdoruesve të tij, përfshirë fëmijët, duke shtuar se platforma nuk kishte arritur të zbatonte masa për të zbutur rreziqet.

Një zëdhënës i TikTok-ut tha se gjetjet paraqitën një përshkrim kategorikisht të rremë dhe tërësisht të pavlerë të platformës dhe se ajo po planifikonte t’i sfidonte ato.

Platforma pritet t’i përgjigjet BE-së në lidhje me gjetjet e fundit.

Në varësi të rezultatit, Komisioni mund ta gjobisë TikTok deri në 6% të xhiros së saj vjetore globale – e cila vlerësohet të jetë në dhjetëra miliardë.

Shefja e teknologjisë së BE-së, Henna Virkkunen, u tha gazetarëve se nëse TikTok-u dëshironte të shmangte gjobën, do të duhej të ndryshonte dizajnin e shërbimit të tij në Evropë.

Komisioni dha disa sugjerime për veprime që platforma mund të ndërmerrte, duke përfshirë zbatimin e “pauzave të kohës para ekranit” (screen time breaks) kur njerëzit e përdorin atë natën dhe ndryshimin e algoritmeve të saj, të cilat u japin përdoruesve përmbajtje të personalizuar.

Ai gjithashtu sugjeroi që TikTok-u duhet të çaktivizojë të ashtuquajturën “lëvizje të pafundme”, e cila u lejon njerëzve të kalojnë shpejt nëpër miliona video në platformë.

“Akti i Shërbimeve Digjitale i vendos platformat përpara përgjegjësisë për efektet që ato mund të kenë tek përdoruesit e tyre”, tha Virkkunen.

“Në Evropë, ne zbatojmë legjislacionin tonë për të mbrojtur fëmijët dhe qytetarët tanë në internet”, shtoi ajo. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›