BE miraton rregulla të reja për të frenuar ndikimin e inteligjencës artificiale. Procesi i votimit në Evropë po sfidohet nga AI

Me afrimin e dhjetëra zgjedhjeve kombëtare, rajonale dhe lokale në Evropë gjatë vitit 2026, procesi i votimit po përballet me një sfidë të re dhe të paprecedentë: përhapjen masive të përmbajtjes së krijuar nga inteligjenca artificiale.
Mesazhet që arrijnë tek votuesit janë gjithnjë e më shumë sintetike, të prodhuara nga algoritme dhe shpesh të pa verifikuara nga burime të besueshme, duke e bërë të vështirë dallimin mes realitetit dhe manipulimit digjital.
Në këtë panoramë të re, ekspertët e përshkruajnë ndikimin e AI në zgjedhje si një sistem me tre shtresa.
Së pari, deepfakes (Video dhe audio të manipuluara) – video dhe audio të manipuluara që i atribuohen gabimisht figurave publike , mbeten një rrezik i lartë, edhe pse me volum të ulët, siç u pa në zgjedhjet presidenciale të Irlandës në vitin 2025.
Së dyti, AI slop, prodhimi industrial i imazheve dhe videove sintetike, emocionalisht të ngarkuara, që dramatizojnë tema si migrimi, krimi apo dekadenca sociale, tashmë dominon platformat si TikTok.
Së treti, generative AI, tekste, imazhe dhe muzikë të krijuara nga algoritme , shërbejnë si shumëfishues të narrativave polarizuese, duke i përhapur më shpejt se sa mund të reagojnë institucionet rregullatore.
Shembuj konkretë nga zgjedhjet e fundit e ilustrojnë këtë fenomen
Në Francë, gjatë zgjedhjeve të vitit 2024, organizata AI Forensics identifikoi rreth 60 postime tërësisht të gjeneruara nga AI në llogaritë zyrtare të partive politike, duke mbushur rrjetet sociale me imazhe distopike të qyteteve të rrënuara dhe skena hiper-reale të migrimit.
Në Gjermani, kandidatët shmangën përdorimin e gjenerimit sintetik, por rrjetet e mbështetësve në TikTok shpërndanë vizualizime nacionaliste të krijuara nga AI.
Në Hungari, profile të rreme të të rinjve tërheqës kanë shpërndarë mesazhe pro-qeveritare, ndërsa në Moldavi rrjete të lidhura me Rusinë përdorën “gjyshe sintetike” në TikTok për të nxitur votuesit të mbështesin kandidatë të afërt me Kremlinin.
Rasti i Holandës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 tregoi kontrastin mes partive
Partia për Liri (PVV) e Geert Wilders prodhoi volumin më të madh të materialeve të gjeneruara nga AI, kryesisht mbi migracionin dhe islamin, ndërsa partia fituese, Demokratët 66 (D66), përdori shumë më pak përmbajtje të këtij lloji. Ky kontrast tregon se përdorimi i AI nuk është i barabartë mes partive, por ka potencial të ndikojë fuqishëm në perceptimin publik.
Bashkimi Evropian ka miratuar Aktin për Inteligjencën Artificiale (AI Act), i cili e klasifikon manipulimin politik si aktivitet me rrezik të lartë, duke kërkuar transparencë dhe mbikëqyrje nga autoritetet kombëtare dhe Zyra Evropiane e AI.
Po ashtu, Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA) u kërkon platformave të mëdha të reduktojnë rreziqet e lidhura me zgjedhjet.
Megjithatë, zbatimi mbetet i dobët. Platformat si TikTok kanë ende hapësirë të gjerë për të përcaktuar vetë se çfarë konsiderohet manipulim, duke u dhënë atyre kontroll të madh mbi mënyrën se si aplikohen rregullat.
Në vend që të përmbysin qeveri me një “deepfake” të vetëm, rreziku real është përhapja e gjerë e propagandës sintetike që synon emocionet e votuesve: frikë, skandal, tronditje. Kjo e bën procesin e votimit më të ndjeshëm ndaj manipulimit dhe e vë demokracinë evropiane përballë një sfide të re, ku ligjet e miratuara shpesh ecin më ngadalë se algoritmet që formësojnë opinionin publik.
/rtsh.al/