BEJRUT – Qeveria libaneze i shpall të paligjshme aktivitetet ushtarake të Hezbollahut

Sipas tij, çdo veprim ushtarak që buronte nga territori libanez përbënte shkelje të marrëveshjeve të armëpushimit dhe të vendimeve të qeverisë.
Hezbollahu, organizata shiite, ka ndikim të gjerë në Liban, përfshirë përfaqësim në parlament dhe ofrimin e shërbimeve sociale.
Grupi e përdor gjithashtu territorin libanez si bazë për sulme kundër Izraelit, shpesh me mbështetjen e Iran.
Vendimi i qeverisë vjen pas përplasjeve të reja ushtarake mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Pas vrasjes së liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, të shtunën gjatë një sulmi të përbashkët SHBA-Izrael, Hezbollahu lëshoi disa raketa drejt Izraelit gjatë natës.
Sulmi nxiti kundërpërgjigje ajrore nga Izraeli, që sipas autoriteteve lokale kanë shkaktuar të paktën 31 të vdekur në Liban.
Ushtria izraelite goditi disa objektiva, përfshirë zona në periferinë jugore të kryeqytetit Beirut, si dhe rajone të tjera në jug të vendit.
Ministria libaneze e Shëndetësisë raportoi gjithashtu 149 të plagosur, duke theksuar se bilanci është paraprak dhe mund të rritet ndërsa vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.
Hezbollahu konsiderohet aleati më i rëndësishëm joshtetëror i Iranit dhe shpesh shihet si krahu i gjatë i Teheranit në përballjen me Izraelin.
Në solidaritet me Hamasin në Rripin e Gazës, grupi nisi të lëshojë raketa drejt Izraelit që në tetor 2023, duke çuar në muaj të tërë bombardimesh të ndërsjella dhe më pas në konflikt të hapur në fund të vitit 2024.
Që prej atëherë, Hezbollahu është parë si i dobësuar ndjeshëm. Si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi, grupi duhej të çarmatosej, ndërsa shteti libanez ka qenë nën presion për ta zbatuar këtë proces.
Megjithatë, pavarësisht armëpushimit, Izraeli ka vazhduar të godasë pothuajse çdo ditë objektiva të lidhura me Hezbollahun në Liban.
Kryeministri Salam theksoi se vendimi për “luftë dhe paqe” i takonte ekskluzivisht shtetit.
“Shteti refuzon me vendosmëri çdo veprim ushtarak që nis nga territori i tij”, deklaroi ai, duke nënvizuar se sovraniteti dhe siguria kombëtare nuk mund të delegoheshin tek asnjë forcë jashtë strukturave shtetërore. //a.i/