E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Të zbatohet kontrata për linjën energjetike në Selitë që vonon përfundimin e rrugës

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Deputeti socialist Erion Braçe ngriti në seancën e sotme plenare shqetësimin për mospërfundimin e punimeve të rrugës në Njësinë nr. 5, në zonën e Selitës, duke kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë përgjegjëse për Energjinë dhe Infrastrukturën për zbatimin e kontratës së linjës energjetike që po ndikon në ecurinë e projektit.

“Shqetësimi im ka të bëjë me një zonë të Tiranës, Njësia 5, Selita, e cila ka një aks të qartë qendror që fillon në Unazën e Madhe të Tiranës, e përshkon mes për mes dhe del në anën tjetër. Shqetësimi lidhet me një rrugë që ka dy vite që ka nisur dhe që duhet të përfundonte. Në fakt është mirë që rruga nuk ka përfunduar dhe në këtë pikë mirë është bërë, sepse OST ka në plan të ndërtojë linjën ajrore me qark të dyfishtë Tirana 2–Rrashbull dhe Unazën 110 kV të Tiranës. Segmenti është loti 2, që ka të bëjë me linjën ajrore dhe seksionet e kabllove nëntokësore. Kontrata është lidhur dhe afati për mbarimin e kësaj linje është nga 9 dhjetori 2025 deri në 9 mars 2026. Ajo që mua më shqetëson është që dy kompani nënkontraktore të OST kanë lënë punën që në janar. Ndërkohë që kanë ngelur edhe 7 ditë nga sot, nuk ka shans që vepra të përfundojë. Kjo ndikon edhe te mospërfundimi i rrugës pranë Selitës. Do doja shumë që ministria përgjegjëse për Energjinë dhe Infrastrukturën të kërkonte zbatimin e kontratës me ngulm, që të mos vonohet ndërtimi i linjës dhe shtrimi i kabllove nëntokësore nga nënstacioni deri sipër në Kodrën e Diellit dhe punimet për rrugën. Shqetësimi është shumë i madh, pasi në krah rrugës është shkolla ‘Murat Toptani’. Të gjithë fëmijët e Selitës shkojnë në këtë shkollë dhe nuk e kanë gëzuar ndërtimin e kësaj shkolle sepse kalojnë në baltë”, tha Braçe.

Deputeti theksoi se përfundimi i linjës energjetike dhe koordinimi institucional janë thelbësore për të mos penguar më tej investimin rrugor në këtë zonë të Tiranës, e cila përbën një aks të rëndësishëm për komunitetin e Selitës.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputeti ishte kompensimi i ardhurave për pensionistët. Ai bëri me dije se pas dy muajsh, rreth 81 mijë pensionistë nuk kanë përfituar nga skema e  kompensimit të të ardhurave, vetëm për pak ditë punë të paplotësuara.

Braçe kërkoi nga Ministria e Ekonomisë që të gjejë një zgjidhje për kategoritë e pensionistëve që nuk kanë përfituar nga kompensimi i të ardhurave, në mënyrë që ata të marrin të drejtën e tyre plotësisht.

Vendimi i qeverisë për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve, hyri në fuqi si pjesë e paketës së Buxhetit 2026.

Vendimi synon të mbështesë pensionistët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke përcaktuar shuma konkrete shtesë që variojnë nga 600 deri në 1800 lekë në muaj.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›