BEJRUT – Të paktën 17 të vrarë nga sulmet izraelite në Libanin jugor

BEJRUT, 10 qershor /ATSH/ – Të paktën 17 persona janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Libanin jugor, raportuan sot mediet libaneze, raportoi BBC.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit (NNA), nëntë persona humbën jetën në një seri sulmesh në qytetin Tayr Debba.
Ndërkohë, grupi i armatosur, Hezbollah, i mbështetur nga Irani, njoftoi se ka kryer sulme të reja kundër trupave izraelite që ndodhen në pjesën e jugut të vendit.
NNA raportoi se bombardimet ajrore dhe me artileri nga Izraeli, u intensifikuan sot në disa zona të Libanit jugor.
Sipas agjencisë, avionë luftarakë dhe dronë izraelitë kryen të paktën katër sulme në Tayr Debba, duke shkaktuar nëntë të vdekur.
Tre persona të tjerë u vranë në dy sulme izraelite, në fshatin fqinj Deir Qanoun el-Nahr, ndërsa dy viktima u raportuan në Sediqin, në juglindje të qytetit të Tirit.
Një sulm goditi qendrën e qytetit bregdetar Sidon, gjatë ditës. Pas një shpërthimi u pa një automjet në flakë, ndërsa ekipet e shpëtimit nxorën dy persona nga mjeti.
NNA raportoi se automjeti ishte goditur nga një dron izraelit dhe se të dy personat humbën jetën.
Një tjetër viktimë u raportua në zonën Masaken al-Shabiya të qytetit të Tirit.
Një ditë më parë, Ministria libaneze e Shëndetësisë njoftoi se 11 persona u vranë në sulme izraelite në Masaken al-Shabiya dhe zona të tjera të Tirit, ndërsa ushtria izraelite lëshoi një urdhër të ri evakuimi për qytetin, i cili përfshinte për herë të parë edhe lagjen e krishterë.
Libani u përfshi në luftën mes Izraelit, SHBA-së dhe Iranit më 2 mars, pasi Hezbollahu lëshoi raketa drejt Izraelit në kundërpërgjigje ndaj një sulmi izraelit, që vrau udhëheqësin suprem të Iranit.
Izraeli reagoi me një fushatë bombardimesh në të gjithë Libanin dhe me ndërhyrje tokësore, në jug të vendit.
Sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, të paktën 3 696 persona janë vrarë gjatë konfliktit, ndërsa autoritetet izraelite raportojnë 34 viktima, përfshirë ushtarë dhe civilë, në të dy anët e kufirit.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth një milion persona në Liban mbeten të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, ndërsa rreth 1,4 milionë banorë kanë nevojë për ndihmë humanitare.
Megjithëse SHBA-ja ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi midis qeverive të Izraelit dhe Libanit më 16 prill, përplasjet kanë vazhduar.
Tensionet u rritën sërish të dielën, pas sulmeve izraelite në periferinë jugore të Bejrutit dhe kundërpërgjigjes së Iranit me raketa balistike ndaj Izraelit.
Teherani ka paralajmëruar se do të rifillojë veprimet ushtarake, nëse forcat izraelite vazhdojnë sulmet në Liban, ndërsa Izraeli ka deklaruar se do të vazhdojë operacionet kundër Hezbollahut. //a.i/