E Diel, 1 Nëntor 2026

1,43 milionë lekë për shpronësimet për projektin e depos në zonën e “Qytetit të Nxënësve”

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi fondin për shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim depoje në zonën e Qytetit të Nxënësve” në Tiranë.

Shpronësimi bëhet në favor të shoqërisë së Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, dhe prek pasuri private të llojit “ullishte”, sipas tabelës përkatëse të bashkëlidhur vendimit.

Sipas vendimit, vlera e përgjithshme e shpronësimit arrin në 1,43 milionë lekë dhe do të përballohet nga vet shoqëria e UKT, e cila do të mbulojë gjithashtu edhe shpenzimet procedurale në masën 70 mijë lekë.

Pronarët e pasurive të prekura do të kompensohen në vlerën e plotë të përcaktuar, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin përkatës pranë UKT-së.

Vendimi parashikon që procedurat e shpronësimit të nisin menjëherë pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe të përfundojnë brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e tij.

Gjithashtu, Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të kryejë brenda 30 ditëve procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë, për përdorim nga UKT.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të pezullojë gjithashtu çdo transaksion mbi pasuritë e përfshira në shpronësim deri në përfundimin e procedurave përkatëse. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›