BEOGRAD – Kallas: Serbia të bëjë zgjedhjen strategjike mes Perëndimit dhe Lindjes

BEOGRAD, 22 maj /ATSH/ – Zyrtarja më e lartë e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas deklaroi sot se kandidatja për anëtarësim, Serbia, po përballet me një zgjedhje strategjike drejtimi, disa javë pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiç sfidoi paralajmërimet e BE-së dhe mori pjesë në paradën e Ditës së Fitores të Rusisë në Moskë, sipas AP.
”Serbia po përballet me një zgjedhje strategjike dhe gjeostrategjike, se ku dëshiron të jetë”, theksoi Kallas gjatë vizitës së saj në Beograd.
“E ardhmja evropiane e Serbisë varet nga vlerat që ajo zgjedh të mbështesë”, shton ajo.
Prania e Vuçiçit në Moskë për paradën e 9 Majit u dënua gjerësisht në Bruksel, me zyrtarët e BE-së që paralajmëruan se veprime të tilla e rrezikojnë seriozisht rrugën e Serbisë drejt BE-së.
Zyrtarët thanë se ishte e papërshtatshme që Vuçiç të mbante anën e presidentit rus Vladimir Putin, duke pasur parasysh pushtimin e Ukrainës nga Moska.
”Nuk e kuptoj pse është e nevojshme të qëndrojmë krah për krah me ata që po zhvillojnë këtë luftë të tmerrshme në Ukrainë”, shton ajo.
Vuçiç, një ish-nacionalist i linjës së ashpër i kritikuar brenda dhe jashtë vendit për qëndrimet e tij të dyshuara gjithnjë e më autoritare, ka mbajtur lidhje të ngushta si me Rusinë ashtu edhe me Kinën, ndërsa ka deklaruar zyrtarisht dëshirën e tij që Serbia të anëtarësohet në BE.
Vuçiç tha se ”vendimi i tij për të marrë pjesë në paradën ushtarake të Putinit që shënonte fitoren e Luftës së Dytë Botërore mbi Gjermaninë naziste ishte pjesë e përpjekjeve për të ruajtur miqësitë tradicionale pasi Rusia është një komb sllav dhe ortodoks”.
Serbia, e cila është pothuajse tërësisht e varur nga Rusia për energji, ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të pushtimit të plotë të Ukrainës dhe nuk ka mbështetur shumicën e deklaratave të BE-së që dënojnë agresionin.
Vuçiç ka qenë gjithashtu nën presion në vend pas gjashtë muajsh protestash të mëdha kundër korrupsionit, që shpërthyen pas një tragjedie në një stacion treni në Serbinë veriore që la 16 të vdekur dhe për të cilën shumë në vend fajësuan korrupsionin e zyrtarëve shtetërorë gjatë ndërtimit të infrastrukturës./ /os/