BERLIN – Aleatët e Zelensky mbështetje përpara bisedimeve me Trump në Florida

BERLIN, 28 dhjetor /ATSH-DPA/ – Përpara takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka marrë garanci mbështetjeje nga liderët perëndimorë.
Zelensky zhvilloi mbrëmë një video-konferencë me disa liderë të vendeve evropiane dhe Kanadaja, si edhe me përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian dhe NATO-s.
Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se liderët i dhanë Zelenskyt “mbështetjen e tyre të plotë dhe theksuan angazhimin për të bashkëpunuar ngushtë me SHBA-në për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë në Ukrainë”.
Sipas zëdhënësit, kancelari gjerman Friedrich Merz e thirri konferencën me kërkesë të Zelenskyt.
Sipas burimeve nga “Pallati Elize”, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se evropianët duhet të jenë plotësisht të përfshirë në diskutimet për paqe, Macron pritet të organizojë një tjetër takim të “Koalicionit të të Gatshmëve”, një grup vendesh që kanë premtuar mbështetje të fortë për Kievin, në Paris në janar.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila gjithashtu mori pjesë në videokonferencë, shkroi në platformën X se të gjitha përpjekjet synojnë “objektivin tonë të përbashkët, një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme që ruan sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.
Evropa po e ndjek me vëmendje zhvillimin, ndërsa Zelensky, i cili u takua me kryeministrin kanadez Mark Carney në Halifax, po udhëton drejt Floridës për bisedimet me Trump në Palm Beach të dielën.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se takimi dypalësh në Mar-a-Lago do të zhvillohet në orën (19:00 (sipas orës tone) dy orë më herët nga sa ishte planifikuar fillimisht. Arsyeja e ndryshimit të orarit nuk u bë e ditur. /Ad.Ab./