GREQI – Valë migrantësh në Kretë: 830 të shpëtuar në ditët e fundit

ATHINË, 28 dhjetor /ATSH-DPA /- Rreth 830 refugjatë dhe migrantë janë shpëtuar në një seri operacionesh kërkim-shpëtimi në jug të ishullit grek të Kretës ditët e fundit, njoftuan autoritetet.
Vetëm dje, afro 400 persona u shpëtuan nnë det, raportuan mediat greke, në operacione ku u angazhuan anije peshkimi dhe mjete patrullimi të rojës bregdetare greke, si edhe të agjencisë evropiane për mbrojtjen e kufijve, Frontex.
Sipas rojës bregdetare, në varkat e përdorura kishte dhjetëra persona, në disa raste mbi 100, përfshirë edhe të mitur.
Autoritetet thanë se migrantët ishin nisur nga Tobruku në Libi dhe kishin paguar shuma të mëdha parash për udhëtimin e rrezikshëm prej rreth 300 kilometrash në det të hapur. Disa persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në trafikimin e qenieve njerëzore.
Kreta ka regjistruar tashmë më shumë se 18 mijë mbërritje refugjatësh gjatë këtij viti, sipas rojës bregdetare, krahasuar me rreth 5 mijë mbërritje në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /Ad.Ab./