E Diel, 1 Nëntor 2026

BERLIN – Gjermania kërkon kalim pa tarifa në Ngushticën e Hormuzit

BERLIN, 8 prill /ATSH-DPA/ – Qeveria gjermane ka kërkuar që kalimi nëpër Ngushticën e Hormuzit të mbetet pa tarifa, pasi Irani pranoi ta rihapë përkohësisht këtë korridor kyç detar si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi dyjavor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme theksoi se Ngushtica e Hormuzit nuk është vetëm pjesë e ujërave iraniane, por i nënshtrohet edhe traktateve detare të Kombeve të Bashkuara.

“Prandaj është thelbësore që, me rifillimin e operacioneve, të garantohet qarkullimi i lirë, i sigurt dhe pa tarifa në det”, tha ai, duke shtuar se ky është qëndrimi i Gjermanisë i bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Duke qenë se bllokada iraniane prek shumë vende në mbarë botën, Berlini e sheh OKB-në si kornizën e duhur për trajtimin e çështjes.

Sipas marrëveshjes së shpallur gjatë natës, Teherani ka rënë dakord të heqë përkohësisht bllokadën e Ngushticës së Hormuzit, një pikë kritike për eksportet globale të energjisë.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se kalimi i sigurt do të lejohet për dy javë në koordinim me forcat e armatosura iraniane dhe duke marrë parasysh kufizimet teknike.

Transporti tregtar në këtë rrugë të ngushtë detare ishte pothuajse ndalur që nga nisja e luftës nga SHBA dhe Izraeli kundër Iranit më 28 shkurt, duke rritur ndjeshëm çmimet e naftës dhe duke shtuar frikën për një krizë globale ekonomike.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump dhe përshëndeti marrëveshjen.

“Qëllimi tani është negociimi i një fundi të qëndrueshëm të luftës. Jemi në koordinim të ngushtë me partnerët tanë”, shkroi ai në platformën X, duke falënderuar edhe Pakistanin për ndërmjetësimin.

Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, e cilësoi marrëveshjen si një hap të parë drejt paqes së qëndrueshme./  /Ad. Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›