BERLIN – Gjermania përjashtohet nga sanksionet amerikane ndaj naftës ruse “Rosneft”

BERLIN, 28 tetor /ATSH-DPA/ – Berlini ka marrë garanci nga Uashingtoni se sanksionet e reja amerikane ndaj sektorit të naftës ruse ”nuk do të zbatohen për degën gjermane të ‘Rosneft’”, e cila ndodhet nën administrim shtetëror, deklaroi sot një zëdhënës i ministres së Ekonomisë, Katherina Reiche.
Një letër zyrtare me garancitë, e njohur si “Comfort letter”, është lëshuar si zgjidhje e përkohshme, ndërsa ministria po bashkëpunon me autoritetet amerikane për qartësime më të gjera dhe ligjërisht të detyrueshme, që pritet të publikohen së shpejti, shtoi zëdhënësi.
Gazeta “Handelsblatt” raportoi, duke cituar burime qeveritare, se pa këtë përjashtim nga sanksionet, ekzistonte rreziku i një “krize të rëndë furnizimi” në Gjermani.
Sipas “Handelsblatt”, menjëherë pas shpalljes së sanksioneve, bankat që kryenin transaksione për rafinerinë “PCK”, e cila është 54% në pronësi të degës gjermane të “Rosneft” u tërhoqën, çka mund ta kishte detyruar rafinerinë të ndalonte punën brenda pak javësh dhe të shpallte falimentimin.
Rafineria “PCK Schwedt”, që ndodhet rreth 90 kilometra në verilindje të Berlinit, pranë kufirit me Poloninë, furnizon pjesën më të madhe të Gjermanisë verilindore, përfshirë kryeqytetin, me karburant, vaj ngrohjeje, vajguri dhe produkte kimike.
Pas sulmit të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt 2022, qeveria gjermane vendosi nën administrim shtetëror degët e “Rosneft” dhe mori kontrollin e operacioneve të saj.
Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, sanksionet e shpallura të mërkurën e kaluar ndalojnë çdo bashkëpunim ekonomik me “Rosneft”, “Lukoil” dhe degët e tyre, jo vetëm për kompanitë amerikane, por edhe për bankat dhe partnerët e huaj që kanë lidhje me subjektet e sanksionuara. /Ad.Ab./