E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama në Riad: Future Investment Initiative, arenë e madhe me 7 mijë të ftuar

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë dyditore në Riad, Arabi Saudite, ku mori pjesë në edicionin e 9-të të Future Investment Initiative (FII).

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau momente nga pjesëmarrja në këtë forum si dhe nga takimet që zhvilloi në kuadër të kësaj vizite.

“Shumë i nderuar nga pjesëmarrja në një ndër panelet e arenës së madhe të Future Investment Initiative, ku marrin pjesë 7 mijë të ftuar nga të gjitha kontinentet”, shkruan Rama.

Kryeministri Rama u prit në Pallatin Mbretëror nga Princi i Kurorës dhe Kryeministri Mohammed bin Salman Al Saud me të cilin bisedoi për ecurinë e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe vizitën e Al Saud në Shqipëri vitin e ardhshëm.

Ndërsa në edicionin e 9-të i Future Investment Initiative, Rama tha se “është e gabuar që Europa është fokusuar gjithmonë e më shumë tek armatimi dhe nuk ka planin e vet të paqes”.

“Një Europë që nuk ka planin e saj të paqes. Një Europë e cila për vite me radhë e vuri veten në autopilotin e SHBA-së dhe pastaj kur gjërat atje ndryshuan, dramatikisht do të thoja, nisi të rizbulonte fjalën armëpushim, që ishte hequr nga fjalori i të gjithëve”, tha  Rama.

Edicioni i 9-të i Future Investment Initiative (FII) mblodhi së bashku liderë politikë, investitorë globalë dhe inovatorë, në një dialog mbi të ardhmen e investimeve në botë, gjetjen e zgjidhjeve të reja dhe ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›