BERLIN – Gjermania të përshpejtojë vizat për afganët që rrezikojnë dëbimin

BERLIN, 22 gusht /ATSH –DPA/ – Komisioneri i të drejtave të njeriut i qeverisë gjermane, Lars Castellucci, ka bërë thirrje pranë ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme për të përshpejtuar pranimin e burrave dhe grave afganë.
Ai shkroi sot në platformën X se koalicioni qeverisës kishte rënë dakord mbi një politikë migracioni të rregullt dhe humanitare. Sipas tij, shqyrtimet e gjata në kuadër të programit të pranimit të Afganistanit nuk përmbushin asnjërën nga këto kushte. Castellucci argumentoi se ata që duan të frenojnë migracionin ilegal duhet të hapin paralelisht rrugë ligjore.
Castellucci kërkoi që ata që kanë marrë një premtim ligjërisht të detyrueshëm për hyrje në Gjermani përmes Programit Federal të Pranimit për Afganistanin të marrin vizat “shpejt”. Ai theksoi se koha po mbaron për shkak të dëbimeve nga Pakistani drejt Afganistanit.
Ministri i Brendshëm, gjerman Alexander Dobrindt, deklaroi se çdo rast do të shqyrtohet për të përcaktuar nëse ekziston një detyrim ligjor për pranimin. Ai shtoi se gjithashtu do të kryhet një kontroll sigurie.
Ky proces prek afganët që konsiderohen në rrezik sepse kanë mbrojtur të drejtat demokratike ose kanë punuar më parë si staf lokal për forcat e armatosura gjermane ose organizata gjermane. Këta persona, së bashku me familjarët e tyre, kanë një premtim për pranimin nga qeveria e mëparshme koalicionare.
Që nga mbyllja e ambasadës gjermane në Kabul pas marrjes së kontrollit nga talebanët në 2021, ata po kalojnë procesin e shqyrtimit në Pakistan. /Ad.Ab./