BERLIN – Merz: Anëtarësimi i Armenisë në BE, mundësi historike

BERLIN, 9 dhjetor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha sot se e sheh si një “mundësi historike” anëtarësimin e Armenisë në BE.
Duke folur pas një takimi me kryeministrin armen, Nikol Pashinyan sot në Berlin, Merz tha se rruga drejt Evropës ishte e hapur, duke iu referuar procesit të paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.
“Gjermania do të vazhdojë të mbështesë procesin e paqes”, tha Merz.
“Ne i kemi ndjekur ndryshimet në rajon me shumë vëmendje”, shtoi ai.
“Ndërsa Armenia kërkon të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian, shumë kushte duhej të përmbusheshin për anëtarësim”, tha Merz, duke shtuar se reformat ishin të nevojshme.
“I takon Armenisë të vendosë nëse dëshiron të ndjekë një marrëveshje asociimi, por Gjermania dëshiron të intensifikoje bashkëpunimin hap pas hapi”, the kancelari gjerman.
Pashinyan mbështeti partneritetin strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë.
“Duke pasur parasysh zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm në Armeni, Rusia po përpiqet të destabilizojë vendin me dezinformim”, tha Merz.
Ka pasur një konflikt prej disa dekadash midis Armenisë dhe Azerbajxhanit – të mbështetur nga Turqia – për rajonin e Nagorni-Karabahut.
Në shtator 2023, Baku pushtoi territorin pas një bllokade të gjatë dhe luftimesh të shkurtra, por të ashpra.
Shumica e popullsisë së rajonit – më shumë se 100,000 armenë etnikë – u detyruan të largoheshin.
Në gusht të vitit 2025, të dy vendet nënshkruan një deklaratë të përbashkët për një traktat paqeje. //a.i/