E Martë, 3 Nëntor 2026

BERLIN – Merz: Anëtarësimi i Ukrainës në BE është një rrugë e gjatë

BERLIN, 18 korrik /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shuar edhe një herë shpresat e Ukrainës për një anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian, duke paralajmëruar se procesi mund të zgjasë me vite.

“Prioriteti ynë kryesor, tani është të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha ai në një takim sot me presidentin rumun, Nicusor Dan, në Berlin.

“Pas kësaj, do të fillojnë bisedimet për rindërtimin e Ukrainës. Ky do të jetë një proces që në fund të fundit mund të çojë në anëtarësimin e Ukrainës në BE, por kjo do të zgjasë disa vite”, shtoi Merz.

Ukraina ka qenë kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2022 dhe kërkon të pranohet shpejt në BE.

“Për sa kohë që Ukraina është nën sulm dhe në gjendje lufte, pranimi në Bashkimin Evropian sigurisht që do të jetë praktikisht i pamundur’, tha kancelari gjerman.

“Megjithatë, qëllimi është ta afrojmë vendin sa më afër BE-së dhe ta lidhim Ukrainën me komunitetin”, tha Merz.

Ukraina ka më shumë se tre vjet që po mbrohet nga pushtimi rus në shkallë të plotë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›