E Hënë, 2 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky dhe Macron diskutojnë furnizimet për mbrojtjen ajrore të Ukrainës

KIEV, 18 korrik /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se diskutoi furnizimet me raketa dhe financimin për dronët interceptues për të kundërshtuar sulmet ruse në një bisedë telefonike me presidentin francez, Emmanuel Macron më 18 korrik, sipas “Reuters”.

“Do të doja veçanërisht të theksoja marrëveshjen tonë për trajnimin e pilotëve për avionët “Mirage”. Franca është gati të trajnojë pilotë shtesë duke përdorur avionë shtesë”, tha Zelensky në X, duke shtuar se udhëheqësit gjithashtu po koordinonin hapat e ardhshëm politikë.

Telefonata e fundit njëorëshe midis Zelensky dhe Macron erdhi ndërsa Bashkimi Evropian ra dakord për një paketë të 18-të sanksionesh kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë – duke përfshirë masa që synojnë të shkaktojnë goditje të mëtejshme në industrinë ruse të naftës dhe energjisë.

Macron tha se paketa e re e sanksioneve ishte e paprecedentë.

“Është e nevojshme më shumë se kurrë më parë të kujtojmë veten se siguria, liria dhe e ardhmja e Evropës janë të lidhura ngushtë me fatin e Ukrainës”, shkroi Macron në X.

“Në këtë drejtim, unë mirëpres miratimin e paketës së re të sanksioneve kundër Rusisë. Sulmet ruse duhet të ndalen menjëherë”, shtoi ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›