E Diel, 1 Nëntor 2026

BERLIN – Merz: Gjermania po përgatitet për ndryshim transatlantik, shpreson që SHBA të mbetet partnere

BERLIN, 10 dhjetor /ATSH-AA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se strategjia e re e sigurisë e administratës amerikane pritet të ndryshojë marrëdhëniet transatlantike, ndërsa shprehu shpresën që Washingtoni të mbetet partner.

“Po përgatitemi për një ndryshim në marrëdhëniet transatlantike”, tha Merz në një konferencë për media në Berlin.

“Por unë do të doja që Amerika të mbetet partnere dhe shpresoj që SHBA-ja ta shohë Evropën dhe Gjermaninë në të njëjtën mënyrë”, shtoi ai.

Lideri konservator shprehu keqardhje për kritikat dhe akuzat e administratës amerikane ndaj qeverive evropiane në dokumentin strategjik, por shtoi se ato nuk ishin “surprizë e madhe”, pasi pasqyronin edhe mesazhin që nënpresidenti amerikan JD Vance u dha evropianëve në Konferencën e Sigurisë në Mynih më herët këtë vit.

I pyetur për kritikat e ashpra të presidentit amerikan Donald Trump ndaj politikave pro imigracionit të qeverive evropiane, Merz tha se ai dhe Trump e kanë diskutuar këtë çështje disa herë që nga takimi i tyre i parë në qershor.

“I thashë presidentit amerikan se ne në Gjermani po ndjekim një politikë të re në lidhje me emigracionin dhe ligjin e azilit. Do t’ia përsëris edhe herën tjetër kur të takohemi, se kemi arritur rezultate të mëdha”, tha Merz.

“Ne kemi arritur ta përgjysmojmë numrin e azilkërkuesve në Gjermani, dhe besoj se ai do ta vlerësojë faktin që kemi bërë një korrigjim kursi në këtë fushë, e cila realisht ka qenë një barrë e rëndë për Gjermaninë”, deklaroi kancelari Merz.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›