BERLIN – Merz: Mos u tregoni naivë për “barbarizmin” që mbizotëron në Rusi

BERLIN, 23 shkurt /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz bëri thirrje sot për më shumë presion mbi udhëheqjen e Rusisë, për të ndaluar luftën në Ukrainë, një ditë përpara përvjetorit të katërt të konfliktit.
“Kjo luftë do të përfundojë vetëm kur Rusia të mos shohë më asnjë arsye për ta vazhduar atë. Kur Rusia të mos fitojë ndonjë territor, kur kostoja e Rusisë për këtë çmenduri të jetë bërë shumë e lartë”, tha Merz në një aktivitet në Berlin.
“Kjo është arsyeja pse ne duhet të vazhdojmë presionin mbi Rusinë. Madje duhet ta rrisim atë”, tha ai në një forum për Ukrainën të organizuar nga Fondacioni “Konrad Adenauer”, i cili është i lidhur me Demokratët e tij të Krishterë.
Udhëheqësi gjerman dënoi ashpër veprimet e Rusisë në Ukrainë, duke akuzuar Moskën për indiferencë ndaj të drejtave të njeriut dhe jetës njerëzore dhe për kryerjen e krimeve të luftës çdo ditë.
“Nën udhëheqjen e saj aktuale, ky vend është në pikën më të ulët të barbarizmit. Dhe askush nuk duhet të ketë dyshime për regjimin dhe barbarizmin e Rusisë”, tha Merz.
“Presidenti rus, Vladimir Putin nuk do ta përfundojë fushatën e tij ushtarake nëse Ukraina dorëzohet” tha ai.
“Sepse i dëgjojmë kërcënimet. I shohim provokimet në vendet baltike, në Detin Baltik, sulmet hibride kudo në Evropë, veçanërisht këtu në Gjermani”, tha Merz.
” Nuk duhet të bëjmë gabimin e njohjes së gjërave – dhe të mos veprojmë ndaj tyre”, tha Merz, duke aluduar në vitet që çuan në pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, kur shumë udhëheqës evropianë nënvlerësuan gatishmërinë e Putinit për të nisur luftën.
Merz gjithashtu premtoi mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën.
“Gjermania, aktualisht mbështetësja më e madhe ushtarake e vendit, ka ofruar ndihmë civile me vlerë pothuajse 40 miliardë euro, që nga fillimi i luftës, së bashku me mbi 50 miliardë euro mbështetje ushtarake”, theksoi kancelari gjerman. //a.i/