Forumi i biznesit Japoni-Shqipëri në Tokio, shkëmbim i përvojave mes dy vendeve

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Një delegacion shqiptar mori pjesë ditët e fundit në forumin e biznesit Japoni-Shqipëri të zhvilluar pranë Japan Bank for International Cooperation në Tokio.
Delegacioni shqiptar përbëhej nga Zv/ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, Zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Erlind Sulo, Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s Laura Saro, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës Liburn Aliu dhe përfaqësues të TEDA Tirana.
Forumi u organizua nga Japan Institute for Overseas Investment (JOI) në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe mblodhi përfaqësues të lartë institucionalë dhe biznesi nga të dy vendet.
Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Presidenti i JOI, Kenichiro Hayashi, i cili theksoi mundësitë e bashkëpunimit dhe rëndësinë e shkëmbimit të përvojave mes dy vendeve.
Ambasadori i Shqipërisë në Japoni, Ermal Muça, ftoi kompanitë japoneze ta konsiderojnë Shqipërinë si një destinacion të sigurt investimi, duke nënvizuar progresin drejt anëtarësimit në BE.
Nga pala japoneze, drejtori i Departamentit të Dytë të Evropës në Ministrinë e Jashtme të Japonisë, Shu Tamaura, vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe dhe interesin e shtuar të kompanive japoneze për rajonin dhe Shqipërinë.
Drejtoresha Ekzekutive e AIDA, Laura Saro prezantoi potencialin e investimeve, ndërsa zv/ministri Sulo dhe drejtori i Portit të Durrësit Aliu paraqitën zhvillimet në infrastrukturë dhe energji. Forumi vijoi me takime B2B.
/k.s/a.f/