E Martë, 3 Nëntor 2026

BERLIN – Merz: Optimist mbi marrëveshjen tarifore BE-SHBA

BERLIN, 9 korrik /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz shprehu besimin se një marrëveshje do të arrihet së shpejti në mosmarrëveshjen për tarifat SHBA-BE, disa ditë pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump e zgjati afatin e tij për arritjen e një marrëveshjeje deri më 1 gusht.

Në një debat të madh në Bundestag, Merz tha se ishte “optimist i kujdesshëm” se një marrëveshje mund të vuloset në ditët e ardhshme ose më së voni deri në fund të muajit.

“Qëllimi ynë është të arrijmë një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa më shpejt të jetë e mundur, një që lidh tregtinë reciproke midis Amerikës dhe Bashkimit Evropian me tarifat më të ulëta të mundshme”, tha Merz.

“Arritja e këtij qëllimi nuk është e lehtë duke pasur parasysh kërkesat aktuale të qeverisë amerikane”, pranoi ai, duke shtuar se po ‘’punonte shumë për të gjetur një zgjidhje”, shtoi ai.

Komisioni Evropian ka negociuar me Uashingtonin për mosmarrëveshjen doganore për muaj të tërë.

Administrata Trump ka njoftuar një tarifë bazë prej 10% për të gjitha mallrat e BE-së, së bashku me tarifa të mëtejshme specifike për sektorët kryesorë si makinat, alumini dhe çeliku.

Një afat për bisedime që duhej të skadonte të mërkurën u shty për në gusht nga Trump, i cili më parë këtë javë publikoi më shumë se një duzinë letrash me detaje mbi kërkesat e tij tarifore ndaj vendeve të ndryshme, kryesisht në Azi./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›