E Martë, 3 Nëntor 2026

STRASBURG – GJEDNJ akuzon Rusinë për shkelje të të drejtave të njeriut në Ukrainë

BRUKSEL, 9 korrik  /ATSH-DPA/ – Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka akuzuar Rusinë për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë luftës në Ukrainë dhe ka fajësuar Moskën për rrëzimin e avionit të linjës ajrore “Malaysia Airlines”, MH17.

Ndikimi i vendimit është i kufizuar, pasi Rusia nuk e njeh gjykatën.

Sa i përket rrëzimit të avionit të pasagjerëve në lindje të Ukrainës, 11 vjet më parë, gjyqtarët thanë në një deklaratë se Rusia kishte dështuar në verifikimin e objektivit të raketës dhe në mbrojtjen e jetës së personave në bord.

Avioni i “Malaysia Airlines” ishte nisur nga Amsterdami për në Kuala Lumpur më 17 korrik 2014, kur u godit nga një raketë ruse kundërajrore në lindje të Ukrainës.

Raketa u qëllua nga rebelët pro-rusë.

Të gjithë 298 personat në bord u vranë, përfshirë 196 shtetas holandezë, 38 australianë dhe katër gjermanë. Rusia ka mohuar përgjegjësinë për incidentin.

Rusia u përjashtua nga Këshilli i Evropës pas pushtimit të  Ukrainës në vitin 2022 dhe nuk është më anëtare e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. /Ad.Ab./ /a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›