E Hënë, 2 Nëntor 2026

BERLIN – Merz: Ukraina, BE dhe Trump qëndrime të përbashkëta para takimit me Putinin

BERLIN, 13 gusht /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi se qëndrimet e Ukrainës, aleatëve të saj evropianë dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump janë “shumë të përputhshme” përpara një takimi të planifikuar midis Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin në Alaska, më vonë këtë javë.

“Në Alaska, interesat themelore të sigurisë evropiane dhe ukrainase duhet të mbrohen. Ky ishte mesazhi që ne evropianët i dhamë sot presidentit Trump”, tha Merz pas bisedimeve online në Berlin.

“Dhe mund të them se ishim shumë të përafërt si për vlerësimin e pozicionit fillestar ashtu edhe për qëllimin e arritshëm për këtë të premte”, tha kancelari gjerman, duke folur përkrah Zelenskyt.

Merz, Zelensky dhe një numër udhëheqësish evropianë zhvilluan bisedime nëpërmjet lidhjes video me Trump dhe zëvendëspresidentin e tij JD Vance për të diskutuar takimin e ardhshëm të presidentit të SHBA-së me Putinin në Alaska, të premten.

Bisedimet u organizuan me një njoftim të shkurtër nga Merz, me Zelensky që iu bashkua personalisht atij të mërkurën në Berlin.

Përpara bisedimeve me Trump dhe Vance, Zelensky iu bashkua një diskutimi paraprak me video vetëm midis udhëheqësve evropianë, ku do të përfshiheshin udhëheqës nga Franca, BM, Italia, Polonia dhe Finlanda, si dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian António Costa dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Berlini tha se qëllimi i bisedimeve ishte të sigurohej që Kievi dhe partnerët e tij evropianë të jenë plotësisht të përfshirë në përgatitjet për takimin e Trump të premten me Putinin në Anchorage, i cili pritet të përqendrohet në luftën në Ukrainë.

Qeveritë evropiane kanë frikë se bisedimet Trump-Putin mund të çojnë në lëshime territoriale ndaj Rusisë, të cilat Kievi i ka refuzuar me vendosmëri./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›