E Martë, 3 Nëntor 2026

BERLIN – Merz dënon “terrorin” rus kundër civilëve ukrainas

BERLIN, 10 qershor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz i përshkroi sot sulmet e fundit të Rusisë ndaj Ukrainës si një terror kundër popullsisë civile dhe si krimet më të rënda të luftës.

“Rusia ka sulmuar qëllimisht dhe pa mëshirë popullsinë civile – me dronë të shumtë dhe raketa”, tha Merz pas një takimi me kryeministrin holandez, Dick Schoof në Berlin.

“Kjo ishte një përgjigjeje proporcionale ndaj sulmeve të sakta ukrainase kundër objektivave ushtarake ruse javën e kaluar”, tha ai.

“Rusia, në të vërtetë donte të shkaktonte një masakër”, tha kancelari gjerman, duke sugjeruar se vetëm mbrojtja efektive ukrainase e parandaloi një të tillë.

“Kjo tregon edhe një herë se Rusia po përshkallëzon konfliktin – në vend që të negociojë”, shtoi Merz.

“Prandaj, qeveria gjermane do të vazhdojë të punojë me partnerët e saj për të rritur presionin e sanksioneve ndaj Rusisë”, tha ai.

Sipas forcave ajrore ukrainase, Rusia sulmoi Ukrainën gjatë natës me 315 dronë, dy raketa balistike të Koresë së Veriut dhe pesë raketa kruiz.

“Gjatë këtij procesi, u neutralizuan 284 objektiva, duke përfshirë të gjitha raketat”, thanë forcat ukrainase.

Sulmi i natës ishte masiv, megjithëse Moska përdori më pak dronë dhe raketa sesa në ditët e mëparshme.

Sipas Kievit, sulmi më i madh deri më sot u zhvillua të dielën në mbrëmje me 479 dronë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›