E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Kievi dhe Moska shkëmbejnë të burgosurit e luftës pas sulmeve masive gjatë natës në Ukrainë

KIEV/MOSKË, 10 qershor /ATSH-DPA/- Ukraina dhe Rusia shkëmbyen sot grupin e dytë të të burgosurve të luftës, pasi autoritetet ukrainase raportuan sulme të rënda ajrore ruse gjatë natës.

“Grupi i të burgosurve ukrainas përbëhej nga ushtarë të sëmurë dhe të plagosur rëndë”, shkroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Telegram.

“Të gjithë do të marrin ndihmë të menjëhershme mjekësore”, tha ai.

“Midis tyre ishin anëtarë të ushtrisë, Gardës Kombëtare, shërbimeve të transportit dhe rojeve kufitare”, sipas Zelensky.

Ministria e Mbrojtjes në Moskë konfirmoi se shkëmbimi kishte ndodhur në kufirin bjelloruso-ukrainas.

“Ushtarët rusë do të çohen në Rusi pas një ekzaminimi mjekësor”, tha ministria në një deklaratë.

Asnjëra palë nuk dha informacion në lidhje me numrin e të burgosurve që u shkëmbyen.

Ukraina dhe Rusia shkëmbyen dje grupin e parë të të burgosurve të luftës.

Zelensky, fillimisht tha se midis tyre kishte njerëz të plagosur rëndë, por autoriteti përgjegjës ukrainas sqaroi më vonë se grupi përbëhej nga ushtarë nën moshën 25 vjeç.

Ukraina raportoi sot sulme të rënda ajrore ruse gjatë natës në Odesa dhe Kiev.

“Dy persona u vranë dhe të paktën dhjetë të tjerë u plagosën pas një sulmi me dron në Odesa”, shkroi kryebashkiaku Gennadiy Trukhanov, në Telegram.

Sulme u raportuan gjithashtu në Kiev, ku autoritetet thanë se të paktën katër persona ishin plagosur.

Administrata ushtarake e qytetit të Kievit tha se dëme u raportuan në gjashtë nga 10 rrethet e kryeqytetit.

Forcat ajrore ukrainase thanë se Rusia kishte sulmuar me 315 dronë, dy raketa balistike të Koresë së Veriut dhe pesë raketa kruiz.

Gjithashtu, 284 objektiva ishin neutralizuar, duke përfshirë të gjitha raketat. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›